Futboll

Izraeli imponon masa ekstreme sigurie, këtë herë më butë se në Elbasan!

Gazeta Si - Sa herë që Shqipëria pret Izraelin në ndeshje kualifikuese, Tirana, apo dhe Elbasani, janë blinduar nga policia. Masat e sigurisë kanë qenë ekstreme. Kjo ndodh në vendin tonë vetëm kur vjen Izraeli, duke përjashtuar rastin e Serbisë.

Kanë qenë vetë izraelitët, të cilët me anë të agjentëve të sigurisë MOSSAD, të cilët shoqërojnë gjithmonë ekipin kombëtar, kanë kërkuar masa shumë të forta sigurie.

Foto ilustruese. Forca polici pranë "Air Albanias". Gazeta Si, 9 qershor 2022

Madje, në vitin 2016, u arrit deri aty sa edhe stërvitja e Izraelit u krye në katin e 23-të të hotelit ku ishte akomoduar ekipi në kryeqytet. Federata e Izraelit ironizonte në atë kohë me ‘stërvitjen më të lartë’ të kryer ndonjëherë.

Po ashtu, prania e snajperëve në tarracat e pallateve, tërhoqi vëmendjen jo vetëm të sportdashësve. Ato pamje që rrallë shihen, krijuan një imazh të zymtë për një ndeshje futbolli.

Këtë herë atmosfera duket pak më ndryshe, nuk ngjan shumë me atë para ndeshjes që u luajt në Elbasan vite më parë. Izraelitët do të stërviten në stadium dhe jo në hotel…

Deri tani, në fakt, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit në lidhje me masat e sigurisë për ndeshjen e nesërme.

Ndeshja luhet në Tiranë. Nuk do të jetë nevoja për angazhimin e aq shumë forcave sa u deshën herën e fundit për të patrulluar aksin Tiranë-Elbasan.

Gjithsesi, masat pritet që të jenë të ashpra. Më të ashpra se kur në Shqipëri vjen një kombëtare tjetër. Pritet të ketë kontrolle të forta policore.

“Po, masat do të jenë të forta, shumë të forta. Ndoshta do të jenë pak më të buta se në Elbasan, por me siguri do të jenë më të ashpra”, - ka thënë për Gazeta Si një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë në stadium.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë