Në Berlin po zhvillohet aktualisht Kampionati Europian i Atletikës, ku Shqipëria përfaqësohet me dy sportistë, Izmir Smajlajn dhe Luiza Gegën, shkodrani në disiplinën e kërcimit së gjati, kurse atletja e njohur në 3000 metra me pengesa.
Smajlaj e ka kryer garën e parë dhe ka arritur të kalojë në finalen e 8 gushtit, por duhet thënë se ka rrezikuar jo pak. Shkodrani kërceu 7.71 metra dhe zuri vendin e 12-ë, i fundit që të çonte në finale. Më parë atleti shqiptar ka regjistruar kërcime më të mira dhe shpresohet që në finale të jetë më mirë se në garën e parë. Smajlaj mban rekordin kombëtar në kërcim së gjati, me 8.03 metra. Ndoshta shkodrani nuk e kishte parashikuar se rivalët do të ishin aq të fortë. Tani shpresohet që Smajlaj të dhurojë emocione dhe të marrë medalje në finalen që do të zhvillohet në stadiumin “Olimpiastadion”.
Luiza Gega, përfaqësuesja e dytë e Shqipërisë në këtë eveniment sportiv, do të garojë më 10 gusht. Edhe ajo së pari do të marrë pjesë në garën kualifikuese, për të pretenduar kalimin në finale, që zhvillohet pas dy ditësh, më 12 gusht. Gega garon gjithmonë në disiplinën e 3000 metrave me pengesa, ku më parë ka arritur rezultate mjaft të mira. Edhe në Berlin ajo pretendon të fitojë medalje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.