Atletike

Izmir Smajlaj, historia e kampionit dhe rekordmenit të madh e shuar nga ‘mashtrimi’!

Në fillim të marsit të vitit 2017 vendi ynë arriti të kishte një kampion Europe në atletikë. Ndodhte për herë të parë në atë që konsiderohet “mbretëresha e sporteve”, atletikë. Izmir Smajlaj arriti të shpallet kampion, kërcimi i tij në mes të Beogradit 8.08 m ishte më i larti ndonjëherë i arritur nga kërcyesit shqiptarë në arenën kombëtare (pasi ishte edhe rekord kombëtar) dhe ndërkombëtare.

Ajo që i dha edhe më tepër vlerë kësaj arritje të rrallë për sportin tonë është fakti që mbi Beograd, Izmiri fluturoi ligjshëm, bëri të heshtë stadiumin në zemër të Serbisë, ku zhvillohej Europiani i Sallave, ndryshe nga droni “Autochtonus” i paligjshëm 3 vite përpara tij në ndeshjen e futbollit të tetorit të vitit 2014 mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Izmir Smajlaj, kampion Europe në kërcim së gjati. Gazeta Si, 2 prill 2023

Këtë herë flamurin kuqezi, himnin shqiptar dhe gjestin me duar që simbolizon shqiponjën e flamurit tonë, nuk i kontestonte dot më askush.

“Askush nuk e besonte më parë se Izmiri mund të kërcente mbi 8 metra”, - tha në atë kohë i ndjeri, profesori që zbuloi dhe rriti Izmir Smajlajn sportivisht dhe jo vetëm, profesor Vildan Tufi.

“Me këtë mbështetje edhe të shtetit, ju premtoj se do të shpallem edhe kampion bote”, - tha mes entuziazmit i sapo mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” në të njëjtën ditë, pa ditur se ky do të ishte rezultati maksimal ndërkombëtar i atletit shkodran, asokohe pjesë e klubit Vllaznia.

Ashtu të gatshëm sportivisht, me statusin, “fuqinë” e presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, një ish-kampion dhe rekordmen i vendit i së njëjtës disiplinë, kërcim së gjati, arriti t’i “rrëmbejë” profesor Tufit, talentin më të madh, siç e përmendte ai vetë, duke e joshur edhe me ‘jetën” dhe mundësitë e Tiranës, një transferim që do të rezultonte i përhershëm dhe fatal për Izmir Smajalaj.

“Ka konflikt interesi… nuk ka eksperiencën si trajner…” - dhe shumë gjëra si këto tha në ato kohë, në vitin 2017 profesori nga Shkodra. Por sa fuqi mund të kishte ai, një prej disa trajnerëve që ka atletika jonë, përballë presidentit të federatës dhe joshjes së një djaloshi 25 vjeçar në atë vit.

Dhe me të mbërritur në Tiranë, për Izmirin, zhurma mediatike u bë shumë më e madhe, metropoli arriti ta ngrejë atë, të papërgatitur ndoshta për atë famë që mori dhe pa frerë, duke i bërë më tepër dëm se nder.

Epoka e dyshes Ruli-Smajlaj!

Nga viti 2018 rifilluan aktivitetet ndërkombëtare dhe Izmir Smajlaj ende nën statusin e kampionit të Europës fiton vendin e parë në Kampionatin Ballkanik, por me kërcimin 7.80 m, më pas Lojërat Mesdhetare të Tarragonës në Spanjë, i katërti me 7.85 m dhe në fund e mbyll këtë vit me vendin e parë në kampionatin e ashtuquajtur të të vegjëlve (Championships of the Small States of Europe) me kërcimin 7.90 m.

Smaljaj me trajnerin Gjergj Ruli, njëkohësisht presidenti i Federatës së Atletikës. Gazeta Si, 31 mars 2023

Gjatë këtyre viteve 2019, 2020, 2021 dhe 2022, Izmir Smajlaj nën udhëheqjen e trajnerit të tij Gjergj Ruli, nuk arriti kurrë të përsërisë atë që bëri në Europianin e vitit 2017, madje kurrë më nuk kërceu 8 metra e jo më mbi 8 metra në aktivitete ndërkombëtare. Megjithatë, në këto 4 vite shkodrani mundi të marrë 4 medalje të arta ballkanike, që më tepër se sadisfaksion personal sportiv kishin edhe atë financiar, duke qenë se shpërbleheshin me nga 1 milionë lekë secila.

Si për çudi më tepër se koincidencë, në kampionatet vendase, të organizuara nga federata, që president kishte Gjergj Rulin njëkohësisht trajneri i Izmir Smajlaj, ai kërcente gjithmonë mbi 8 metra. Në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Shkodër në vitin 2019 kërceu 8.11 m., duke vendosur rekord të ri kombëtar, duke përmirësuar të tijin të arritur në Beograd 2 vite më parë, kur u shpall edhe Kampion Europe.

Por çuditë fizike dhe talenti i këtij sportisti, më tepër se vullneti për të punuar befasoi dhe kulmoi 2 vite më parë në aktivitetin e quajtur “Dita e Kërcimeve”, 8 maj 2021. Fiksojeni mirë këtë datë, pasi jo vetëm që Izmir Smajlaj kërceu 8.16 m, duke përmirësuar veten e tij pasi në vend askush nuk i afrohej, por me gjasë është kërcimi dhe fluturimi i tij i fundit fatkeqësisht në këtë sport.

Hetimi i ndërkombëtarëve që akuzon për mashtrim Federatën, presidentin Ruli dhe rekordmenin Smajlaj!

Që prej këtij rezultati befasues dhe 8 cm më mirë se sa rekordi i vendosur kur u shpall kampion Europe në 2017-n, Federata Botërore e Aletikës nuhati diçka që nuk shkonte.

Rezultati i dërguar në formularin tip të çdo gare zyrtare në fillim plotësohet se gara u bë me matës ere, një element që federata jonë nuk e ka pasur asnjëherë dhe ato pak gara që e ka përdorur, e ka marrë hua në federatat fqinje.

Izmir Smajlaj gjatë një kërcimi. Gazeta Si, 31 mars 2023

Nisur nga ky fakt i dyshimtë, Agjencia e Hetimit pranë Federatës Botërore kërkon materiale shtesë. Në garën e transmetuar në mediat e ndryshme televizive dhe në pamjet filmike të tyre, dukej qartë që nuk kishte një matës ere. Dhe si për të rënduar më tepër situatën, Federata Shqiptare e Atletikës i dërgon një foto të “sajuar” Federatës Botërore, ku në sfond të garës së Izmirit shfaqet një matës ere, që për çudinë e kujtdo nuk ishte as matës ere për gara të tilla.

Në Botërorin pasardhës të Atletikës të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara kjo agjenci hetimore klonon telefonin celular të presidentit të FSHA-së Gjergj Ruli, ku zbulon foton dhe datën krejt tjetër me datën e garës, si për të vërtetuar “mashtrimin”.

Nga ky moment hetimi mbi 1 vit e gjysmë solli akuzën e mashtrimit për sekretarin e përgjithshëm të FSHA-së Nikolin Dionisi, për trajnerin dhe njëkohësisht presidentin e Federatës së Atletikës Gjergj Rulin dhe sportistin Izmir Smajlaj. Një akuzë që shoqërohej me një kërkesë pezullimi nga 4 në 8 vite nga aktivitetet e atletikës.

Një histori e denjë për një skenar filmash! Sekretari i përgjithshëm në prag të pensionit, Nikolin Dionisi, u tërhoq nga apelimi për të kursyer edhe ato rreth 30 mijë eurot shpenzime që duheshin për të provuar pafajësinë. Pranoi fajin dhe u largua nga posti, por pa theksuar mungesën e bashkëpunimit me presidentin Ruli dhe sportistin Smajlaj.

Këta dy të fundit, për çështje ditësh presin edhe vendimin përfundimtar të apelimit të bërë në fillim të marsit, një pritje që duket ka çuar në demoralizimin e sportistit Izmir Smajlaj, sot 30 vjeç, rreth 1 vit pa stërvitje, për të vazhduar akoma sportin, në të cilin shkroi historinë dhe mban të gjitha rekordet, por pa plotësuar ëndrrën e tij të madhe dhe të të gjithë neve që të kishim një kampion bote në kërcim së gjati në atletikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë