“Izet Haxhia dua të përballem dhe ballafaqohem me denoncuesin tim Sali Berisha”. Kjo ka qenë kërkesa e parë e Izet Haxhisë përpara Gjykatës së Tiranës, ku ka depozituar një kërkesë për rigjykimin ndaj tij dhe rihapjen e dosjes “Azem Hajdari”. “Denoncuesi dhe akuzuesi im Sali Berisha ka një marrëveshje të bërë në “Rogner” për të ekzekutuar disa persona. Mes tyre edhe mua. Disa i vranë, mua jo”, ka deklaruar Izeti përpara trupës gjykuese, duke folur për një plan të gjerë ekzekutimesh të cilat sipas tij mbajnë autorësinë e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ai ka mohuar të ketë gisht në vrasjen e Azem Hajdarit 12 shtatorin e vitit 1998, ngjarje për të cilën ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor. Në 14 qershor do jetë seanca e dytë ku do të shpalosen pretendimet e Prokurorisë. Kërkesa e palës mbrojtëse është rihapja e këtij procesi. Avokati i Haxhisë në këtë seancë, Bashkim Nikolla, ka paraqitur një dokument të SHIK-ut, i cili ishte raport për vrasjen e Hajdarit, ku sipas tij Haxhia nuk është përmendur asnjëherë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.