Futboll

Ivan Gvozdenoviç, trajneri serb që riktheu Skënderbeun aty ku e la, në elitë!

Për tre vite ai ka qenë lojtar i Skënderbeut të madh të Shqipërisë dhe Europës, por e gjeti në Kategorinë e Parë pa shpresë, për ta rikthyer dhe transformuar atë brenda pak muajve në skuadrën kryesuese të kësaj kategorie.

Në fund të nëntorit, me largimin e Migen Memellit, Ivan Gvozdenoviç mori drejtimin e Skënderbeut. Një emër i njohur për presidentin Ardjan Takaj që e zgjodhi, pasi ishe pikërisht ai që e kish marrë edhe si lojtar, kur korçarët ishin udhëheqësit e futbollit tonë, por edhe në Europë.

U duk si një tjetër aventurë, pasi Gvozdenoviç që kishte luajtur për shumë vite në Shqipëri, nga viti 2010-të kur erdhi tek Tirana e më pas te Skënderbeu dhe Kukësi, kishte pasur dy eksperienca në Shqipëri si zv.trajner i dy klubeve të fundit. Më pas u largua drejt botës arabe, pastaj në Rumani, Serbi dhe më pas në Oman në vitin 2022, ku pas një gjysmë sezoni u largua, për t’u rikthyer në Korçë.

Gvozdenoviç (i parri djathtas) ne kursin per trajner ne Shqiperi. Gazeta Si, 25 prill 2023

E gjeti Skënderbeun në vend të 7-të, me 13 pikë, 8 larg Flamurtarit që në atë periudhë udhëhiqte. Sot, pas 24 javësh, Skënderbeu është i pari dhe me 48 pikët e fituara deri tani, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje ende, siguroi rikthimin në Superiore.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën SI, Ivan Gvozdenoviç rrëfehet 360 gradë për këtë vit kaq të suksesshëm. Në 2010-ën, pas një karriere të suksesshme te Crvena Zvezda, ku ishte edhe kapiten, Bryzhi, Dinamo e Bukureshtit, Metz, Vojvodina e disa klube të tjera, në moshën 32-vjeçare ai firmosi për Tiranën, ku gjeti edhe lojtarë të tjerë që vinin nga ish-Jugosllavia.

Ivan, si fillim urime për rikthimin e Skënderbeut në Superiore. Pse pranuat të riktheheshit si trajner në Shqipëri me ish-klubin tuaj, në Kategorinë e Parë?

Ju falënderoj shumë. Sa më erdhi oferta nga Skënderbeu, nuk pata asnjë problem ta mendoja se ishte një skuadër e Kategorisë së Parë. E di kush është Skënderbeu në Shqipëri dhe e njoh mentalitetin e kësaj skuadre, tifozëve dhe qytetit. Pasi u takova me presidentin e Takaj, isha i bindur që do të bënim një punë të mirë. Me Skënderbeun isha kampion 3 herë në Superiore, por e kisha si motiv të madh që edhe në Kategorinë e Parë të shpalleshim kampion dhe falë Zotit, ia dolëm.

Çfarë ishte ndryshe te Skënderbeu që gjetët, në krahasim me atë që latë kur u larguat?
Kur isha unë ishim kampionë në Superiore dhe kur erdha e gjeta në Kategorinë e Parë. Ky ishte problem kryesor. Problemi tjetër kishte të bënte me mentalitetin: kur isha unë këtu ishim të gjithë lojtarët, klubi dhe kushdo me shumë besim, pozitivë dhe e dinim që jemi kampionë. Kur erdha si trajner në muajin nëntor ishte krejt ndryshe, mendonin të gjithë se jemi klub i vogël, pa besim, lojtarët nuk kishte energji pozitive.

Humbnin brenda dhe jashtë dhe për mua kjo nuk ishte normale për Skënderbeun. Më duhej t’u ktheja besimin lojtarëve, mentalitetin, duhet t’u tregoja se kush ka qenë Skënderbeu. Kjo ishte puna më e vështirë për mua. Ja dolëm që të ndryshonim gjithçka dhe i kthyem ekipit mentalitetin fitues.

Ivan Gvozdenoviç, kur prezantohej si trajneri i Skenderbeut. Gazeta Si, 25 prill 2023

Ku ndryshon drejtimi i një skuadre në Kategorinë e Parë me skuadrat në Superiores, ku ju keni qenë zv.trajner me Kukësin dhe Tiranën?
Përgjegjësia është më e madhe kur je trajner i parë. Te Tirana dhe te Kukësi isha zv.trajner dhe për mua ishte një moment i mirë për të mësuar dhe për të krijuar eksperiencë. Kategoria e Parë këtë vit ishte shumë e fortë, pasi kishte skuadra me emër të madh me traditë, si Dinamo, Flamurtari, Lushnja, Apolonia dhe të tjera. Kjo e bënte edhe më interesante Kategorinë e Parë. Por në aspekte të tjera kanë shumë ndryshim Kategoria Superiore me të Parën, që nga stadiumi, fushat.

Për mendimin tim, Superiorja është shumë e thjeshtë, me fusha të mira, stadiume të mira dhe nëse ke një skuadër të mirë mund të luash një futboll të thjeshtë. Ndërsa te ne fushat janë të këqija, kur shkon në trasnfertë nuk luan njeri futboll tamam, vetëm top të gjatë, ‘luftë’, presion e të tjera si këto. Ishin të vështira për ne këto gjëra, po jemi adaptuar dhe çunat bënë një punë shumë të mirë, gjithçka e meritojnë ata.

Tani që ia dolët duket e thjeshtë, po a ka pasur një moment që menduat se nuk do t'ia dilnit?
Të them të drejtën, asnjëherë nuk e humba besimin. Patjetër kishim javë shumë të vështira, si në ndeshjen me Dinamon, kur ata na barazuan 1-1, për mua nuk ishte mirë, me Burrelin, apo me Besëlidhjen 0-0. Ishin momente të vështira, por asnjëherë nuk e humba besimin se mund t’ia dilnim.

Kush ishte momenti më i vështirë?
Mund të them se ndeshja me Apoloninë 0-1 ishte për mua shumë e vështirë, sepse sapo kisha ardhur. Kisha një javë që kisha filluar punën me ekipin dhe ishim në trasnfertë, përballë një kundërshtari që rrezikonte shumë. Ishte presion i madh psikologjik. Për mua ishte e vështirë që të bindja skuadrën, se duke luajtur futboll të mirë mund të marrim pikët dhe që nga ajo ndeshje filloi gjithçka. Lojtarët fituan besimin dhe javë pas jave lojtarët ishin edhe më mirë.

Momenti më i bukur?
Momenti më i mirë ishte këtu në Korçë, përballë Luzit. Ishte 1-0 për ne dhe na barazuan, në fundin e ndeshjes shënuam dhe fituam. Ishe shumë bukur, pasi i gjithë stadiumi ishte plot. Për mua, nëse gabon në këto ndeshje, i vështirëson shumë gjërat.

Kush ishte rivali më i fortë për ju në Kategorinë e Parë?
Të gjitha skuadrat ishin të forta, jo vetëm Dinamo dhe Flamurtari. Por të them të drejtën, këto janë dy skuadra shumë të mira. Pavarësisht renditjes, kam shumë respekt për Flamurtarin dhe besoj që edhe vlonjatët e meritojnë Superioren. Kanë një skuadër të mirë dhe një president ambicioz. Flamurtari është pa dyshim emër i madh në futbollin shqiptar.

Mendoni se është e drejtë renditja, që ju dhe Dinamo u kualifikuat, ndërsa Flamurtari mbeti jashtë?
Në futboll asnjëherë nuk ka garanci, por besoj është një renditje e drejtë.

Skënderbeu është një skuadër e dënuar nga UEFA, sa ka ndikuar ky fakt në vendimin tuaj për ta drejtuar këtë skuadër?
Nuk kam asnjë koment për dënimin, erdha këtu vetëm me qëllimin që të dalim në Superiore. Mendoj vetëm për atë që ndodh në fushë dhe do Zoti do të rregullohen të gjitha.

Ivan Gvozdenoviç, kur luante me Skenderbeun. Gazeta Si, 25 prill 2023

A ndikon ky dënim te lojtarët që ti do të kesh në të ardhmen në Superiore?
Nuk mendoj, pasi Skënderbeu është klub i madh dhe me emër. Ne edhe jashtë kemi bërë historinë në Kupat e Europës.

Keni marrë urime nga ish-shokët tuaj, apo trajnerët këtu në Shqipëri?
Patjetër, kam marrë urime nga të gjithë lojtarët, unë kam mbetur shok, si me ata që kam luajtur këtu, apo edhe ata që kam luajtur në Serbi, apo Belgjikë, kudo ku kam qenë. Flas shpesh me ta.

Juve vetëm nga mbiemri dukeni i huaj në Shqipëri, sepse flisni shumë mirë shqip dhe me sa njihemi, nuk keni pasur kurrë probleme si një serb që jeton, luan dhe punon këtu…
Faleminderit shumë, akoma kam pak problem në të folur, por i kuptoj të gjitha. Probleme nuk kam pasur asnjëherë, ne ballkanasit jemi njësoj, kemi mentalitetin njësoj, gjithçka ka shkuar shumë mirë gjithmonë këtu në Shqipëri për mua.

Ju e keni familjen me vete? A dinë ata ndonjë fjalë shqip?
Familja është jashtë, djali im është në Milano me shkollë, ndërsa nusja në Beograd. Kur jemi të lirë takohemi më shpesh, por ata nuk kuptojnë fare shqip.

Keni luajtur me një nga skuadrat më të mëdha të Beogradit dhe jeni shumë i njohur edhe atje, keni pasur oferta nga klube serbe? Përse keni preferuar Skënderbeun?
Kam pasur oferta nga Serbia, kur isha në Oman dhe në Arabinë Saudite, por kisha kontratë dhe kjo ishte arsyeja përse nuk pranova. Kur erdhi oferta nga Skënderbeu isha trajner i lirë dhe firmosa. Nëse do të isha i lirë dhe do të merrja një ofertë nga klubet serbe, patjetër do të firmosja.

Cilat janë synimet për të ardhmen, në Superiore?
Për Superioren do të flas me presidentin Ardjan Takaj dhe do të shohim çfarë ambiciesh do të ketë edhe klubi dhe çfarë projektesh. Ka kohë, për momentin e kemi mendjen te këto ndeshjet që na kanë mbetur.

Gvozdenoviç dhe Muka, kur ishin te Tirana. Gazeta Si, 25 prill 2023

Keni një ish-trajnerin tuaj, shqiptar apo serb, të preferuar?
Jo.
Kë trajner ndiqni më tepër nga europianët si model?
Mua më pëlqen shumë Ançeloti, është i qetë, i zgjuar, ka një komunikim të mirë me lojtarët. Më pëlqen shumë.

Ka shanse ky Skënderbe të përsërisë veten sërish në Superiore?
Mendoj që po, kishim si objektiv të arrinim në Superiore dhe ia dolëm, tanë do të provojmë të jemi kampionë në Superiore dhe pse jo të shkojmë në Europë. Gjithmonë kemi ambicie për lart, sepse jemi në një klub me emër të madh.

Cili do të dalë kampion në Superiore mes Tiranës dhe Partizanit?
Tirana ose Partizani janë dy ekipet që mund të dalin kampionë në këtë sezon të Superiores, por është akoma shumë e vështirë, sepse kanë mbetur edhe 6 javë. Ka edhe një derbi në mes, për mua gjithçka është e hapur. Kam shumë respekt për Orges Shehin, është shoku im dhe kolegu im. Jam me Gesin, do ta fitojë ai me Tiranën titullin kampion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë