Ekspozite

Italo Calvino, bota e mjeshtrit italian vjen përmes 31 ilustrimeve

“Përsosmëri italiane-Ilustrime për Italo Calvino” është ekspozita dedikuar 100-vjetorit të lindjes së Italo Calvinos, një prej autorëve të rëndësishëm të letërsisë italiane, që u hap në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Ilustrues nga vende të ndryshme të botës sjellin një rrëfim të veprës së Calvinos, përmes gjuhës së imazhit.

Në ekspozitën “Përsosmëri italiane”, 31 ilustrime, të cilat janë përzgjedhur nga juria e Panairit të Librit në Bolonja, nga 500 punime të ilustruesve nga e gjithë bota të ngacmojnë kërshërinë drejt përrallave, romaneve e teksteve të shkrimtarit italian.

“Ju presim ta vizitoni këtë udhëtim, në botën e bukur të letërsisë”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

“Panairi i Librit në Bolonja, është nga më të rëndësishmit për të rinjtë, dhe e ka bërë këtë konkurs, prej nga u zgjodhën edhe këto ilustrime të frymëzuara nga rrëfimet e tij”, shprehet drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.

Ekspozita prezantohet nga Instituti Italian i Kulturës i Tiranës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane dhe Qendrën e Librit dhe Leximit.

Ekspozita vjen edhe si një mundësi për t’u njohur me shkrimet e tij të krijuara për t’u lexuar nga të rinjtë, si dhe me përrallat e tij, të imagjinuara si lexim i bashkëndarë mes të rriturve dhe fëmijëve.

“Në të njëjtën kohë, ajo shndërrohet në një medium të rëndësishëm për t’i paraqitur vizitorëve botimet për fëmijë, një hapësirë për kërkime, propozime cilësore e jetike për edukimin e brezave të ardhshëm”, thuhet rreth ekspozitës.

Ekspozita thekson më shumë marrëdhënien mes teksteve të zgjedhur dhe figurave: një itinerar vizual që endet mes përrallave, romaneve, rishkrimeve, teksteve shkollore dhe vizioneve të reja.

Kjo ekspozitë që u çel në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit këtë “Tetor të librit” do të qëndrojë e hapur deri më 31 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë