Futboll

Italia ose PSG, dy rrugë për të ardhmen e legjendës Paolo Maldini

Gazeta Si – Ish-drejtori sportiv i Milanit ka dy opsione në tavolinë për momentin: të jetë kreu i delegacionit në kombëtaren italiane, ose një rol të rëndësishëm drejtues te skuadra parisiene.

Gabriele Gravina, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, dëshiron që Paolo Maldini të jetë kreu i delegacionit të Italisë. Në anën tjetër, PSG e ka në plane ish-lojtarin legjendar si drejtues të një cikli të ri. Kjo është dilemma e ish-kapitenit të Milanit, drejtor sportiv deri pak kohë më parë te kuqezinjtë.

Maldini është në dyshim për të zgjedhur mes fanellës ‘axurre’ dhe Kullës Eifel. Ai është mes 4 kandidatëve për rolin e drejtuesit tek Italia, bashkë me Bufon, Orialin dhe Kielinin. Por në rast largimi të Kampos nga PSG, emri i Paolo Maldinit është lakuar si pasuesi më i mundshëm.

Paolo Maldini, ish-drejtori teknik i Milanit. Gazeta Si, 15 korrik 2023

Klubi francez mund t’i afrojë atë që ish-lojtari i shquar i Milanit dhe Italisë kërkon prej kohësh: një pozicion plotësisht operativ, që përfshin merkaton, zgjedhjen e lojtarëve dhe supervizionin teknik. Natyrisht, ofron më shumë edhe ekonomikisht. Pengesa e vetme e momentit te PSG është Luis Kampos, drejtori aktual sportiv që duhet të largohet.

Për te Italia pozicioni është tjetër: Maldini duhet të jetë figura që lidh federatën me skuadrën. Gravina po merret me riorganizimin e strukturës në ekip, ku pika e vetme fikse është trajneri Roberto Mançini. Maldini do të ishte një figurë karizmatike në mbështetje të Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë