Politike

Italia ndihmë Shqipërisë për tërmetin, negociatat dhe Reformën në Drejtësi

Duke theksuar vazhdimisht miqësinë e fortë me Shqipërinë, Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka premtuar sot mbështetjen e Italisë jo vetëm për rimëkëmbjen nga tërmeti, por edhe për negociatat dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, kreu i diplomacisë italiane deklaroi se si ai, ashtu edhe kryeministri italian, Xhupeze Conte, do të bindin Komisionin Europian që duhet t'i qëndrojë afër vendit tonë në këto momente të vështira.
Përpara se të takonte kryeministrin Edi Rama, Di Maio u ndal në Vorë, ku vizitoi të prekurit nga tërmeti. Nga kampin i Vorës ai nënshkroi një marrëveshje për dhurimin e materialeve të nevojshme të shpëtimit për të përballuar katastrofat dhe situatat e emergjencës të dhuruara nga Emergjencat Civile italiane.
Gjatë fjalës së tij për mediat, Di Maio u shpreh se pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve, qeveria italiane do të ndihmojë edhe në procesin e rindërtimit.


“Motivi kryesor për të cilin ndodhem këtu, është jo vetëm për të kultivuar më tej miqësinë historike mes dy vendeve, por edhe për shprehur solidaritetin e palës italiane pas tërmetit të 26 nëntori", tha Di Maio. "Ne do të punojmë fuqishëm në Konferencën e Donatorëve dhe do të vëmë në dispozicion teknikët tanë që të bëjnë vlerësimin paraprak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në mënyrë që konferenca e donatorëve të ketë një kuadër të qartë situatës. Urojmë që Konferenca e Donatorëve të mund të bëhet në Tiranë, por ende më e rëndësishme është niveli i afërsisë që do të tregojnë të gjitha shtetet anëtare ndaj Shqipërisë", u shpreh ai.
Kreu i diplomacisë italiane u takua më pas me kryeministrin Rama, pranë të cilit deklaroi se Italia mbështet më shumë se kurrë integrimin e Shqipërisë në BE dhe do të lobojë tek vendet që janë kundër zgjerimit të BE.
“I theksova kryeministrit mbështetjen e Italisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Italia këmbëngul mbi nevojën e një vendimi pozitiv për të dyja vendet për të përcaktuar edhe një datë për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe gjithashtu për një mandat për komisionin për të përgatitur kuadrin e negociatave”, tha ai.
Edhe pse tërthorazi, Di Maio nuk i kurseu kritikat për aktorët politikë në Shqipëri, duke u ndalur edhe tek kriza politika që ka kapluar prej më shumë se një viti vendin, krizë që sipas tij, rrezikon integrimin europian të vendit.

Ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio, Gazeta Si, 2019


“Të gjithë aktorët politikë të angazhohen edhe më tej në rivendosjen e një klime politike të tillë në mënyrë që të mos komprometojë rrugëtimin e integrimit europain dhe të bëjë të mundur të shfrytëzohen potencialet në rritje të vendit, duke favorizuar një ulje të tensioneve dhe hapjen e kanaleve të përballjeve dhe dialogut”, deklaroi kreu i diplomacisë italiane.
Por Italia ka premtuar të ndihmojë Shqipërinë edhe në një proces tjetër të rëndësishëm; Reformën në Drejtësi.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se diskutoi me ministrin italian lidhur me ligjin Anti-KÇK dhe njësinë speciale anti-korrupsion, ku tha se Italia nuk do të ofrojë vetëm asistencë teknike, por edhe njerëz në terren.
“Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë i parë në marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe vendi që nuk është kursyer asnjëherë në përpjekjet për transformimin e Shqipërisë nga një diktaturë në demokraci funksionale”, tha Rama. “Me ministrin kemi diskutuar edhe reformën e drejtësisë, legjislacionin e ri kundër KÇK-së, pra krimit të organizuar, kemi diskutuar edhe mbi njësinë speciale kundër korrupsionit. Ministri më konfirmoi gatishmërinë e Italisë për të mbështetur jo thjesht në mënyrë tradicionale me asistencë teknike por me njerëz në terren, bashkëpunim konkret dhe të përditshëm”, theksoi ai.

Ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio dhe Kryeministri Edi Rama. Gazeta Si, 2019


“Mund të punojmë sëbashku në luftën ndaj fenomeneve të paligjshme që në një farë mënyrë prekën gjithë zonën e Mesdheut. Sepse sikundër e thashë, ne luftojmë nëpërmjet implementimit të ligjeve të reja. Kemi ligj të ri për evazionin fiskal, korrupsionin, por puna e përbashkët mund të bëjë të mundur edhe rritjen e investimeve nga sipërmarrësit italianë”, tha Di Maio,
“Dhe integrimi në BE i Shqipërisë mund t'u japë mundësi sipërmarrjeve tona këtu të rriten, duke ofruar kështu mundësi të reja punësimi por edhe për rritjen ekonomike të vendit. BE në mënyrë të natyrshme duhet të bëjë pjesë të saj Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne do e mbështesim këtë edhe ndaj atyre vendeve që nuk janë pro zgjerimit të BE dhe po e pengojnë zgjerimin e BE", u shpreh Di Maio.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë