Ngjarje

Italia dënon bandën e Habilajve, Moisiu “merr” 15 vite burg

Gjykata e Katanias ka dënuar me 15 vite burg Moisi Habilajn, nga 18 që kërkoi prokuroria italiane për akuzën se drejtonte një grup të strukturuar kriminal me veprimtari trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali.

Nazer Seitaj, i konsideruar si “llogaritari” i bandës është dënuar me shtatë vite burg, ndërkohë që edhe persona të tjera, shtetas shqiptarë dhe italianë kanë marrë disa vite burgim për akuzën e trafikut të drogës.

Në dosjen në fjalë doli edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kushëri me Habilajt. Autoritetet italiane nuk hetuan Tahirin, por ndaj tij ka nisur një proces gjyqësor në Shqipëri, seanca e radhës e të cilit ishte parashikuar për këtë të mërkurë.

Seanca u shty, ndërkohë që vetë Saimir Tahiri, që e cilëson një proces farsë dhe të motivuar politikisht kërkoi që të zhvillohet gjyqi sa më parë.

“Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç’është dhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh”, deklaronte ai në fund të muajit shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë