Lajme

Itali, shembet ura Morandi në Xhenova, ka viktima

Një urë e lartë, pjesë e autostradës A10 në Xhenova të Italisë është shembur mesditën e kësaj të marte. Bëhet fjalë për urën Morandi 122 metra të gjatë dhe 70 metra të lartë e ndërtuar mes viteve 1953-1955.

Zjarrfikës të shumtë, ambulanca dhe forcat e rendit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Nga raportimet e deritanishme janë gjetur 11 persona të vdekur si dhe shumë automjete nën rrënoja. Mbikalimi është një nga nyjet kryesore të lëvizshmërisë në zonën e Ligurias. Shkak për shembjen e tij mund të jetë bërë një problem strukturor. Të dyja anët e mbikalimit kanë rënë nga një lartësi prej afro 100 metrash, duke zënë nën të disa automjete.

Liguria është përfshirë prej disa orësh nga reshje të dendura shiu, pa pushim, ndërsa Mbrojtja Civile kishte shpallur alarmin “portokalli”.

Ndërkohë, për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Mateo Salvini, i cili është shprehur se operacioni i shpëtimit po ndiqet hap pas hapi.

Ai gjithashtu falënderon forcat zjarrfikëse,  të cilët i ka quajtur heronj të vërtetë.

Po ashtu Ambasada e Shqipërisë në Itali ka reaguar në rrjetin social “Facebook” për tragjedinë në Xhenova. Ambasada është duke ndjekur zhvillimet hap pas hapi dhe sipas informacioneve të deritanishme nuk ka të lënduar shqiptarë.

“Ambasada ndjek zhvillimet në lidhje me shembjen e urës Morandi në autostradën A10 në Genova.

Deri tani nuk kemi informacione nëse mes të lënduarve ka qytetarë shqiptarë.

Qëndrojmë në gatishmëri të plotë për t'iu përgjigjur kërkesave për asistencë.

Numri i kontaktit operativ është +39 0686224115”, thuhet në njoftimin e ambasadës në “Facebook”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë