Lajme

Itali, kapen 700 kg drogë nga Shqipëria, 17 të arrestuar

17 persona janë arrestuar nga policia italiane për trafik ndërkombëtar droge dhe vepra të tjera penale.

Gjatë aksionit policia ka sekuestruar 700 kg marijuanë që vinte nga brigjet shqiptare. Droga kap vlerën e 5 mln lekëve.

Ndaj të arrestuarve është dhënë masa e sigurisë arrest me burg për 12 persona, ndërsa 5 të tjerë janë lënë në “arrest shtëpie”.

Sipas mediave italiane, këto persona vepronin në zona të ndryshme të Italisë. Aksioni u zhvillua në disa qytete si në Bari, Fasano, Leçe, por edhe në disa zona të tjera, të cilat mbaheshin prej kohësh në monitorim.

Policia ka ushtruar kontrolle të ndryshme në banesa, ku krahas drogave si hashash, kokainë, janë gjetur  dhe sekuestruar, arsenal armësh dhe municione luftarake. Gjithashtu, në një shtëpi në “Torre a Mare”, karabinierët kanë kapur një ngarkesë droge nga Shqipëria. Mendohet se trafikantët kanë ndjekur rrugën Shqipëri-Pulia, duke përdorur  gomone, të pajisur me dy motorë të jashtëm me 250 kuaj fuqi secila.

Deri më tani nuk ka asnjë detaj në lidhje me personat e lënë në burg. Nuk raportohet për ndonjë shqiptar të arrestuar, por policia mund të japë detaje të reja në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë