Ekskluzive

“Ishin tre vrasës me pagesë”. Krimi mafioz në Milot nuk u bë me plumba blindshpues

Pesë ditë nga atentati mafioz në qendër të Milotit ku mbeti i vrarë 28 vjeçari Klisman Preçi dhe u plagos Ylli Brahimi, policia është e bindur se në atentatin mafioz kanë marrë pjesë tre vrasës me pagesë.

Sipas burimeve të Gazetasi.al në vendngjarje nuk ka asnjë kamer që të tregojë të shtënat preçize sipas ekspertëve prej nga ku dy kallshnikovë zbrazën 103 plumba në drejtim të mjetit Land cruiser që ishte i blinduar dhe përdorej nga shenjestrat për të mos u vrarë.

Por, shton policia për Gazetasi.al në rrugë jo zyrtare, një vrasës i tretë ka pritur me makinë ndezur që të realizonte largimin e menjëhershëm, ashtu siç edhe ndodhi.

LEXO EDHE:
- Eksperti i kriminalistikës paralajmëron policinë: Ndodheni në mesin e një lufte frontale midis grupeve kriminale
- Hetimet për atentatin në Milot/ Plumbat nuk depërtuan brenda makinës, gjenden 108 gëzhoja

Kjo e dhënë sipas policisë tregon se vrasësit janë profesionistë dhe të pagabueshëm. Por megjithëse në qendër të Milotit aty ku ndodhi atentati nuk ka kamera, policia shton se ka disponuar disa kamera të tjera në akset e qytetit dhe në autostradë që tregojnë automjetin e vrasësve duke qarkulluar.

Megjithatë burimet e sigurta bëjnë me dije se ende nuk është pyetur i mbijetuari i atentatit Ylli Ibrahimi, mosha 46 vjeç, pasi ai vazhdon të trajtohet në spital.

 Të vetmit që janë pyetur janë dëshmitarët okularë që njoftuan uniformat blu për të mbërritur në vendngjarje. Po kryhen disa përgjime thotë nga ana e saj prokuroria lokale, që po heton për të zbuluar autorët për akuzën e vrasjes në bashkëpunim, por ende të dhënat janë të vakëta.

Megjithëse i mbijetuari i atentatit Ylli Brahimi është shoqëruar pothuajse një vit më parë dhe është pyetur për vrasjen e ish policit Xhelal Reçi, kjo është një nga pistat ku po orientohen hetuesit, por nuk është e vetmja.

Burimet sqarojnë se kanë dyshime edhe për një konflikt të para pesë viteve midis të mbijetuarit dhe disa personave, një konflikt i cili ka kulmuar me dhunë dhe masakrimin e një shtetasi, por në këtë pikë nuk jepen më shumë detaje.

Ajo që është e bindur policia lidhet jo vetëm me skenën e krimit, që ilustron për kriminalistët se plumbat nuk kanë qenë blindshpues. Vrasësit kanë pritur derisa mjeti i blinduar do të ndalonte në hyrje të pallatit, dhe mbetet e paqartë se si u hap dera, nëse ata ( shenjestra) në atë moment sapo e kanë hapur derën për të ndaluar dhe pikërisht në atë momoment vrasësit hapën zjarr duke u afruar dhe në brendësi të mjetit.

Ky konstatim i sigurtë për hetuesit tregon dinamikën se si vrasësit qëlluan edhe në afërsi për t’u siguruar për eleminimin që në këtë rast, rezultoi me viktimë Klisman Preçin, pasagjerin e shenjestrës.

Policia thotë nga ana tjetër për Gazetasi.al se pavarësisht numrit të lartë të shoqërimeve, e vetmja shpresë mbetet nga përgjimet dhe nga ekspertizat në makinën e djegur të autorëve , një mjet ( siç ka raportuar Gazetasi.al për makinat e vjedhura) që ishte grabitur së bashku me targat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë