Kosova

Ish zëdhënësi i NATO-s, Shea: Serbia të pranojë krimet e kryera

Nga Gazeta 'Si'-24 mars 1999. Pak pas orës 19:00 në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, dëgjohen sirenat e para. Ato paralajmërojnë fluturimin e avionëve ushtarakë të NATO-s mbi qellin e Serbisë.

Sulmet filluan në orën 19:45, 25 vjet më parë, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

 Aeroplanë të dëmtuar nga bombardimi i NATO-s shiheshin duke u djegur më 25 mars 1999./Pançevë, Serbi 

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, tha asokohe presidenti Clinton.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s. Sot, 25 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Jamie Shea: Serbia të pranojë historinë dhe të mos e kthejë atë në një mit

Në 25 vjetorin e sulmeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, ish-zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea tha se ishte vendim i duhur bombardimi i forcave serbe në vitin 1999.

Shea tha se vendim i NATO-s, ishte i duhur në atë kohë dhe ai beson se është shfajësuar nga historia.

“Në javët e para të vitit 1999, represioni serb ndaj popullatës civile kosovare po përkeqësohej qartë. Masakra në Reçak shënoi një pikë kthese në brutalitetin e saj dhe regjimi i Millosheviçit kishte refuzuar paqen e kompromisit që ishte negociuar midis Beogradit dhe delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe Paris”, theksoi ai.

Ish-zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea tha se ishte vendim i duhur bombardimi i forcave serbe në vitin 1999.

Sipas tij, NATO i kishte dhënë opsionit diplomatik çdo mundësi për të punuar, por qartësisht nuk mund të qëndronte mënjanë pasi dhuna dhe kriza humanitare u intensifikuan në Kosovë.

Edhe pse kanë kaluar 25 vjet, Serbia ende vazhdon të refuzojë të pranojë krimet e kryera nga ish-regjimi i Millosheviçit, për këtë Shea tha se është përgjegjësi e çdo shteti të pajtohet me historinë e tij, si të keqe ashtu edhe me të mirë.

“Kjo është edhe më e nevojshme kur provat për krimet e luftës janë dërrmuese dhe të dokumentuara mirë përtej dyshimit shkencor apo ligjor. Udhëheqësit serbë, si Millosheviçi, u paditën nga Gjykata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për akuza të shumta për krime lufte duke përfshirë gjenocidin”, theksoi ai.

“Vendet që e kthejnë historinë e tyre në mite janë shpesh partnerë jo të besueshëm siç ka treguar Rusia e Putinit në dekadat e fundit. Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor gjithashtu ka nevojë që vendet të japin llogari me ndershmëri dhe plotësisht për të kaluarën dhe t'ua lënë këtë punë historianëve profesionistë dhe jo politikanëve apo mediave. Kështu që unë mund të shpresoj vetëm se Serbia do të ndjekë shembullin e mirë të shumë vendeve të tjera evropiane. Të jesh evropian do të thotë të jesh i sinqertë për të kaluarën, në mënyrë që të ndërtosh një të ardhme më të mirë, në vend që të riprodhosh pafundësisht armiqësitë e vjetra historike”, deklaroi Shea.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë