Drejtësia

Ilir Beqaj 3 orë e gjysmë në SPAK për ‘Sterilizimin’. Makina e huazuar i gjobitet për parkim të gabuar: Nuk kam patentë

Gazeta Si- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dëshmoi për rreth 3 orë e gjysmë në SPAK, ku u pyet sërish nga prokurorët e çështjes për koncesionin e sterilizimit.

"Edhe sot u paraqita në cilësinë e personit nën hetim për çështjen e sterilizimit. Kam qenë në dispozicion të hetimeve. Sot vazhduam me pyetjet për sterilizimin. Diskutuam dhe për gazin, madje dhe për aneksin 8. Aneksi 8 është pjesë e dokumenteve standarde të tenderit”, - tha ai pas daljes nga SPAK.

Por ndërsa futej në Prokurori rreth orës 09:00, makina që e solli është gjobitur nga policët bashkiakë për parkim të gabuar.

Ish-ministri sërish ka përdorur makinën e Ermal Kurtulajt, i cili është në hetim nga SPAK për abuzimet te SASPAC, Agjencia e Koordinimit të fondeve të huaja, për të cilën prokuroria dyshon se është përfshirë edhe Ilir Beqaj, i cili ka qenë ish-drejtor i SASPAC. Gjoba prej 3000 lekësh është vendosur pikërisht në emër të Ermal Kurtulajt.

I pyetur nga mediat pse përdor makinën e Ermal Kurtulajt, Beqaj tha se erdhi me ndihmën e avokatit dhe se nuk ka patentë.

“Kam ardhur me ndihmën e avokatin, me automjetin e famshëm luksoz, të parkuara aty. Lidhjen time me Ermalin e kam thënë. Unë nuk di t’i jap makinës, s’kam leje drejtimi”, u shpreh ai.

Kjo është hera e dytë brenda një muaji që makina që sjell ish-ministrin gjobitet për parkim të gabuar para ambienteve të SPAK.

Kjo makinë është në emër të Ermal Kurtulajt, ish vartës i tij. Referuar dosjes hetimore, SPAK ngre dyshime se pikërisht ky automjet është pasuri e fshehur e Beqajt.

Nga hetimet ka rezultuar se kjo makinë është gjobitur disa herë teksa drejtohej nga shoferi i Beqajt dhe po ashtu ka dalë dhe jashtë vendit me të.

Në datën 9 janar, Beqaj qëndroi rreth 9 orë brenda Prokurorisë së Posaçme, ku u pyet për çështjen e “Sterilizimit”. Ai deklaroi se po merret në pyetje lidhur me aferën.

Ish-ministri i Shëndetësisë akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa gjykata i ka caktuar masën detyrim paraqitje. Në qeli ndodhet vartësi i tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj i cili fitoi këtë kontratë koncesionare.

Gjykata e Posaçme ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, duke kërkuar që ndaj tij të kryhet edhe hetim pasuror, madje ka lëshuar indicie se provat e dhëna nga SPAK çojnë në dyshimet se ish-ministri i Shëndetësisë mund të ketë falsifikuar dokumentet dhe ekziston mundësia që të ketë kryer edhe korrupsion.

Megjithatë, aktualisht ndaj Beqaj është në fuqi masa “detyrim paraqitje”. Çdo të premte, ai duhet të paraqitet në 15:30 para oficerit të BKH-së.

Ndërkohë në arrest shtëpie janë ish-drejtorët ekonomikë dhe juridikë, Marsela Serjani, Saimir Kadiu, ndërsa 4 mjekët Arben Gjata, Genc Byrazeri, Pertef Mersini dhe Naile Ajazi po hetohen më masën “detyrim paraqitje”.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh ndërsa biznesmeni që fitoi koncesionin për mashtrim me pasoja të rënda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë