Gazeta Si – Në një sulm të ngjashëm me atë të shërbimeve qeveritare në korrik, Irani duket se qëndron sërish pas rënies së sistemit TIMS në pikat kufitare shqiptare.
Mësohet se sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS ka krijuar vonesa dhe rradhë në pikat kufitare në aeroportin e Rinasit, Muriqan, Han i Hotit dhe Kapshticë.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se sulmi është bërë nga të njëjtët agresorë. Ai thekson se po bashkëpunon me aleatët për t’i bërë të padepërtueshme sistemet dixhitale të Shqipërisë.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale,” shkroi ai në Twitter.
Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale.
— Edi Rama (@ediramaal) September 10, 2022
Që prej mbrëmjes së djeshme, doganat në Kapshticë dhe Kakavijë kanë pasur probleme dhe kanë dalë jashtë funksionit për disa orë.
Kjo gjë ka detyruar autoritetet të punojnë manualisht me regjistra, duke shmangur kështu radhët e qytetarëve që duan të udhëtojnë në Greqi.
Aktualisht nuk ka radhë të automjeteve, ndërkohë që puna vijon me regjistra.
Edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijes ka patur probleme me sistemin TIMS, duke bërë gjithashtu që edhe këtu kalimi i qytetarëve të mbahet përmes regjistrave.
Rreth orës 19:30 të së premtes, në doganën e Kakavijës u bllokua sistemi në hyrje për në Shqipëri. Mësohet se aktualisht lëvizja në Kakavijë i është rikthyer normalitetit. Ndërkohë, është duke u punuar për të rregulluar defektet në sistem në Kapshticë.
Ky është sulmi i dytë kibernetik që Irani bën ndaj Shqipërisë. Herën e parë, në korrik të këtij viti goditi shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara, Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin.
Ndërkohë, ditën e djeshme, Thesari Amerikan i Shtetit ka sanksionuar Ministrinë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë si dhe ministrin Esmail Khatibi, për shkak të sulmeve të vazhdueshme kibernetike të bëra që nga 2007.
Republika Islamike e Iranit u shpall përgjegjëse edhe për sulmin kibernetik të 17 korrikut ndaj shërbimeve qveritare të vendit tonë.
Pas kësaj kryeminstri Rama ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, ndërsa urdhëroi diplomatët e ambasadës së Iranit në Tiranë që të largoheshin brenda 24 orëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.