Ne rrjet

Irani shkel marrveshjen bërthamore me SHBA-në

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit duket se kanë arritur kulmin pasi Teherani ka njoftuar se po rrit pasurimin e uraniumit përtej kufirit të vendosur në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei u tha gazetarëve në Teheran se vendi i tij do të tejkalonte nivelin e lejuar të pasurimit me uranium prej 3,67 për qind. Ai tha se përqindja e re e pasurimit me uranium “do të bazohet në nevojat e Iranit”, por nuk dha më shumë detaje.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi u tha gazetarëve se Irani do të heqë dorë nga obligimet e tij nga marrëveshja, nëse nënshkruesit e marrëveshjes, Britania, Kina, Gjermania, Franca dhe Rusia, nuk bëjnë asgjë për ta mbrojtur Teheranin nga sanksionet amerikane.

Araqchi tha se Irani ende dëshiron që ta shpëtojë marrëveshjen, por fajësoi shtetet europiane se kanë dështuar që t'u përmbahen obligimeve të tyre.

Njoftimi i Qeverisë iraniane vjen vetëm një ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron bisedoi në telefon me homologun e tij iranian, Hassan Rohani dhe tha se ai do të mundohet të gjejë një rrugë për të rikthyer dialogun ndërmjet Iranit dhe partnerëve perëndimorë.

Në deklaratën e Presidencës franceze thuhej se Macron theksoi “shqetësimin e tij të thellë përballë rrezikut për dobësimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015”.

Nga ana tjetër, Franca, Britania dhe Gjermania nuk kanë pasur sukses që ta bindin SHBA-në që të vazhdojë të qëndrojë në marrëveshjen bërthamore, që i mundësonte Teheranit lehtësimin e sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Tensionet Iran-SHBA janë përshkallëzuar aq shumë sa një sërë mediesh amerikane i druhen një pushtimi të ngjashëm me atë të Irakut në vitin 2003.

Ka qenë vetë Presidenti Donald Trump që ka pranuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Iran, duke përkeqësuar edhe më shumën përplasjet mes Teheranit dhe Uashingtonit. Duke iu përgjigjur raporteve mediatike për dërgimin 120.000 trupave amerikane në Lindjen e Mesme, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se nëse do të bëhej agresiv ndaj Iranit do të dërgonte shumë më tepër trupa se kaq.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar të gjithë personelin e ambasadës që të largohet nga Iraku urgjentisht, duke pershkallëzuar tensionet me Iranin fqinj. Një paralajmërim i publikuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Irak tha se punonjësit në mbarë vendin duhet të largohen “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ky njoftim ka nxitur frikën se SHBA dhe Irani po shkojnë drejt luftës. Uashingtoni tha javën e shkuar se kishte zbuluar kërcënime të reja dhe urgjente nga Irani, i cili sipas zyrtarëve në SHBA po planifikon të sulmojë forcat amerikane në rajon.

Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje në maj të vitit 2018, duke thënë se kushtet në këtë marrëveshje nuk ishin aq strikte që ta parandalojnë Iranin që të zhvillojë armë bërthamore.

Në kundërpërgjigje, Rohani njoftoi se shteti i tij do të tejkalojë kufirin e lejuar në marrëveshje për rezervat e uraniumit të pasuruar. Rohani tha se Irani gjithashtu më 7 korrik do të nisë rritjen e pasurimit të tij me uranium, përtej limitit të lejuar prej 3,67 për qind që është vendosur në marrëveshjen e vitit 2015.

Ali Akbar Valayati, këshilltar i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei, tha se rritja e uraniumit do të kete përputhje me përdorimin civil.

“Për shembull, ne kemi nevojë për uranium të pasuruar me 5 për qind për përdorimin e centralit në Bushehr dhe kjo është për një qëllim krejtësisht paqësor”, tha Valayati.

Teherani ka thënë se kjo shkelje e marrëveshjes do të jetë e kthyeshme “brenda disa orësh”, nëse do të bëhet progres në lehtësimin e sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit.

Presidenti Trump së fundmi ka paralajmëruar Teheranin që të mos bëjë asnjë kërcënim, sa i përket programit të tij bërthamor.

Disa javë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur zyrtarisht një sulm kibernetik ndaj sistemeve iraniane të raketave. Ky vendim duket se ka ardhur si hakmarrje për rrëzimin e avionit amerikan si dhe sulmet ndaj tankerave të naftës në gjiret e Lindjes së Mesmee.

Mediat raportojnë se SHBA-ja ka nisur sulm kibernetik ndaj sistemeve kompjuterike të ushtrisë iraniane më 20 qershor, vetëm disa orë pari Irani rrëzoi dronin amerikan, me miratimin e presidenti Donald Trump.

Sulmi kibernetik vjen pasi Trump, fillimisht miratoi, pastaj anuloi, sulmet ajrore ndaj disa bazave ushtarake brenda Iranit, duke thënë se kundërpërgjigja për dronin e rrëzuar nuk do të ishte “proporcionale” dhe se sulme të tilla do të mund të çonin në humbjen e jetëve të ushtarëve dhe civilëve iranianë.

Trump tha se në vend të sulmeve, SHBA-ja do të vendosë sanksione të rënda ndaj Teheranit. Si ai ashtu edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, duket se zbutën gjuhën e ashpër, që kanë përdorur kohët e fundit ndaj Iranit.

Presidenti tha se është i hapur që të arrihet një marrëveshje e shpejte me Iranin, që sipas tij, do të ndihmonte Republikën Islamike të rimëkëmbej nga kriza shkatërruese ekonomike, që në masë të madhe është shkaktuar nga ndalesat financiare të vendosura nga SHBA-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë