Futboll

Inzagi rrezikon shkarkimin e menjëhershëm, Poketino emri i ri për Interin

Gazeta Si - Juventusi, Salernitana dhe Benfika janë vendimtare për të evituar shkarkimin e menjëhershëm. Fati i trajnerit të Interit, Simone Inzagi, varet nga këto ndeshje, ndërsa klubi zikaltër, përveç Kontes, ka pasur një kontakt edhe me Poketinon.

Pas humbjes në shtëpi me Fiorentinën, pozitat e Simone Inzagit janë lëkundur fort. Dhe gjasat janë që ai të mos e mbyllë sezonin në krye të Interit, pasi situata është komplikuar ndjeshëm. Të martën luhet ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Italisë me Juventusin.

Trajneri i Interit, Simone Inzagi. Gazeta Si, 3 prill 2023

Kjo është një provë serioze për të rregulluar humorin dhe për të kuptuar me çfarë shpirti do të përballohen më pas Salernitana në kampionat dhe Benfika në Champions. Janë tri ndeshje shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, por që për Inzagin kanë të njëjtën peshë. Ai duhet t’i kalojë të gjitha me sukses, në të kundërt vendin e tij do ta marrë dikush tjetër.

Nëse Inzagi shkarkohet menjëherë, emrat që mund të marrin drejtimin e Interit janë disa, duke nisur nga Kristian Kivu, që drejton të rinjtë. Nuk është sekret që Marota do të preferonte Antonio Konten, por situata e ish-trajnerit të Totenhemit duhet qartësuar më parë në termat ekonomikë.

‘Gazzetta dello Sport’ bën me dije se ka pasur edhe një kontakt ‘sekret’ me Mauricio Poketinon, një tjetër ish-trajner i Totenhemit. Sondazhe ka edhe për Roberto De Zerbin e Brajtonit dhe Tiago Motën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë