Ekonomi

Investitorët presin rritje të çmimeve të benzinës dhe naftës bruto

Të kujdesshëm pas rënies së çmimeve të naftës nën zero, investitorët janë duke kërkuar mënyra të ndryshme për të krijuar fitime nga tregu i energjisë teksa ekonomi të ndryshme në botë po nisin të dalin nga masat izoluese e karantinuese.

Disa menaxherë fondesh mendojnë se është më e sigurt dhe se do të jetë më fitimprurëse nëse investohet në produktet e përpunuara të naftës apo në naftën bruto Brent. Por ajo që po tregtohet më së shumti aktualisht është benzina.

Një muaj më parë kërkesa ditore mbi udhëzimet e gjetjes së rrugëve dhe itinerareve rrugorë në aplikacionin e hartës Apple ranë me thuajse 50% nga mesi i janarit. Që prej 8 majit kjo rënie u zvogëlua në 24%.

Kjo ka shtyrë rritjen e kontratave të së ardhmes të benzinës me 38% më shumë, pra në 40.74 dollarë fuçia, krahasuar me muajin e kaluar. Çmimet e shitjeve me pakicë të benzinës janë rritur për të dytën javë radhazi në një çmim mesatar në ShBA me 1.83 dollarë për galon, në 11 maj (1 galon përmban 3.8 litra).

“Sytë e të gjithëve janë tek benzina”, shprehet David Winans, një analist energjie për departamentin e investimeve në obligacione të PGIM-së (firmë për menaxhimin e investimeve). “Kërkesa për benzinë në ShBA ka një hov gjigant”, shton ai.

Kjo vjen pjesërisht prej ndërprerjeve të mëdha të prodhimit të naftës, rimëkëmbjes së transportit rrugor dhe rihapjes së ekonomive aziatike të cilat kanë ndihmuar çmimet e naftës bruto amerikane të rriten pas rënies së tyre historike gjatë muajit të kaluar. Kontratat me afat të së ardhmes të WTI me shpërndarje (apo ndryshe me lëvrim), në qershor janë rimëkëmbur në 29.71 dollarë fuçia, thuajse sa trefishi i nivelit tyre më të ulët gjatë 21 prillit.

Diferenca midis çmimeve të benzinës dhe naftës bruto qëndronte në 12.24 dollarë të premten, 45 % më pak se një vit më parë. Kjo diferencë ndryshe e quajtur si “diferenca e plasur” (në terminologjinë angleze crack spread) përbën pak a shumë fitimin për përpunuesin e naftës që më pas e kthen atë në benzinë.

“Por diferenca të këtilla të dobëta shtyjnë përpunesit që të ndalojnë së mbushuri tregjet me benzinë”, shprehet Doug King drejtuesi ekzekutiv i RCMA Capital LLP (firmë për këshillim dhe menaxhim investimesh). Konsumi në rritje së bashku me prodhimin e njëjtë ka nisur të hajë pak e nga pak thuajse 250 milionë fuçitë me benzinë të magazinuara në ShBA. Një arsye tjetër kjo pse zoti King pret që çmimet e benzinës të rriten më shpejtë se çmimet e naftës bruto.

Çmimet e benzinës gjithashtu do të performojnë më mirë se nafta (diesel) gjersa aeroplanët t’u rikthehen qiejve në numër të shumtë, sipas zotit King. Nafta (diesel) është me tepricë në ofertë pasi rafineritë i janë drejtuar më së shumti diezelit e i janë larguar prodhimit të karburantit për aeroplanë si rrjedhojë e pezullimit të shumë linjave ajrore gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Benzina ka për të performuar mjaft mirë gjatë dy muajve të ardhshëm. Diezeli do të vazhdojë të hasë vështirësi”, shprehet zoti King fondi i të cilit prej 170 milionë dollarësh “Merchant Commodity Fund” ka pësuar rritje me 28% në 2020-n pas një “basti” të mirëvënë mbi perspektivën e benzinës që herët këtë vit. “Gjithçka më pas ngelet në dorën e situatës së avionëve”, shton ai

Një tjetër aryse e investimeve të shumta në produktet e rafinuara të naftës ka të bëjë me faktin se përpunesit e naftës bruto munden që në një kohë të shkurtër të krijojnë përzierje të naftës për t’iu përballur luhatjeve të kërkesave. Kjo bën të mundur evitimin e magazinimit të tepërt të benzinës nëse një valë e dytë infektimi detyron amerikanët të izolohen në shtëpi, sipas Darwei Kung, një menaxhues portofolesh në DWS Group.

“Përpunuesit kanë shumë fleksibilitet dhe disa opsione përsa i përket përzierjeve falë të cilave prodhojnë nënproduktet e naftës”, shprehet zoti Kung.

Richard Fullarton themelues i firmës së menaxhimit të pasurive Matilda Capital Management ka nisur të mbyllë pozicionet e tij të investimit në të cilat benzina do të vazhdonte të fuqizohej krahasuar me naftën bruto. Tani ai është duke parë për oportunitete të pazbuluara akoma në sektorë që për momentin nuk po shfrytëzohen duke përfshirë këtu dhe tregun e naftës.

Duke rritur prodhimin e benzinës rafineritë amerikane me shumë mundësi do të përfundojnë me një mungesë të produkteve të diezelit dhe karburantit të avionëve (ndryshe këta produktë në terminologjinë angleze quhen middle distillates). “Ka mundësi që të ketë shumë  benzinë të prodhuar e jo mjaftueshëm karburant avionësh nëse linjat ajrore rikthehen në aktivitet më shpejtë seç pritet”, thotë zoti Fullarton.

Në tregun e naftës bruto disa fonde investimi “po vënë bast” se çmimet e naftës bruto Brent do të rriten më shpejtë se WTI e do të qëndrojnë më lart gjithashtu.

“Nafta bruto WTI ka vajtur nga zero në 20 e ca në një hark kohor shumë të shkurtër. “Kështu që mendoj se fuqia e këtij produkti për t’u rritur akoma në çmim me këtë hap galopant është zhdukur”, thotë Nicolas Robin menaxher portofolesh në Columbia Threadneedle Investments.

Zoti Robin është duke mbajtur aktualisht një pozicion arbitrazhi në investimet e tij përsa i përket tregut të kontratave me afat që ndryshe njihet si “box trade”, i cili do të japë përfitime nëse niveli i madh i ofertës së naftës bruto do të nisë të reduktohet më shpejtë në detin verior sesa në ShBA.

“Nafta bruto Brent pritet që të rritet në çmim nga prodhimi i ulët i prodhuesve të naftës së Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Rusisë”, thotë zoti Robin. “Prej shkakut se prodhohet në det është më e lehtë se nafta bruto amerikane që prodhohet në tokë të transportohet tek blerësit në Azi, ku kërkesa ërshtë rritur shumë për shkak të lehtësimit të masave izoluese prej koroanvirusit”, shton zoti Robin.

Ky artikull është marrë nga Wall Street Journal dhe është përshtatur në shqip nga Gazeta “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë