Biznes

Investitorët e huaj rrisin vlerësimin për klimën e biznesit. Por problem janë euro, inflacioni dhe ndryshimet e shpeshta të taksave

Nga Gazeta ‘SI’ - Klima e biznesit në Shqipëri është përmirësuar me 6 pikë nga viti 2022, duke u vlerësuar me 46 nga 100, nga investitorët e huaj në vend, FIAA. Gjithsesi, treguesi mbetet poshtë mesatares.

Për bizneset e huaja, dy problemet më të mëdha që i kanë prekur ato, janë zhvlerësimi i euros dhe inflacioni i lartë. Po aq serioze vlerësohet dhe rritja e çmimeve të tregut imobiliar në vend.

Tregues të tjerë që bizneset e huaja i vlerësojnë si pengesa në mjedisin shqiptar të sipërmarrjes janë edhe niveli i transparencës në procedurat qeveritare dhe burokracitë.

Në fushën fiskale, për shoqatën e bizneseve të huaja është problem ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit mbi taksat.

Krizën e punonjësve e kanë ndjerë edhe ndërmarrjet e huaja në vend, që e vlerësojnë si ‘problem serioz’ mungesën e stafeve të kualifikuara.

Të anketuarit kryesorë të këtij sondazhi ishin bizneset e huaja të rëndësishme në Shqipëri në sektorët e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, industrive të rënda dhe minierave, energjisë dhe mjedisit, shërbimeve financiare, tregtisë, logjistikës, turizmit, shërbimeve konsulente etj. shumica me origjinë nga Italia, Franca, Anglia, Gjermania, Greqia dhe Rajoni.

Gjetjet e anketës u prezantuan në prani të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete dhe Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.

Mete: Po hartohet një kuadër i ri ligjor i unifikuar për investimet

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, vlerësoi anketimin e realizuar nga FIAA duke theksuar se ka nevojë për përmirësime të mëtejshme.

“Përmirësimi i një sërë treguesve të anketimit, si ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me administratën tatimore e doganore, nivelin e transparencës, konkurrencën, si edhe nivelin e burokracisë me të cilën përballen bizneset, dëshmojnë se kemi pasur rezultate pozitive në këtë drejtim”, tha z. Mete, ndërsa pohoi se mbeten ende hapësira për përmirësim të mëtejshëm.

Ministri informoi se po punohet për hartimin e një kuadri të ri ligjor të unifikuar për investimet, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorët prioritarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë