Biznes

Investitorët e huaj presin përkeqësim të klimës së biznesit. Problemi më i madh, sistemi gjyqësor

Nga Gazeta "SI" - Shoqata e Investitorëve të huaj në Shqipëri, FIAA, raporton se pritshmëritë për klimën e biznesit në 2022-shin janë përkeqësuar.

Indeksi i publikuar, “Të bësh Biznes në Shqipëri në 2021-2022” e vlerëson situatën e të bërit biznes në  vend, një pikë më pak se indeksi i fundit, i 2019-s, nga 45 në 44. (Vlerësimi është i lartë sa më afër vlerës 100 dhe është i ulët sa më afër vlerës zero).

Investitorët e huaj bënë një pikëzim sipas çështjeve specifike që ndikojnë në klimën e biznesit, ku pikët më të larta i mori digjitalizimi i shërbimeve online, me 64.

Pikët më të ulëta i mori sistemi gjyqësor, 33. Ndjekur nga transparenca nga entet qeveritare, 34. Shqetësuese shikohet edhe mungesa e fuqisë punëtore në bizneset në Shqipëri, me 38 pikë vlerësim.

Ndryshimi i shpeshtë në ligjet e fiskalizimit u vlerësuan me 36 pikë nga investitorët e huaj dhe politikat për stimulimin e investimeve morën vetëm 45 pikë.

Gjithashtu burokracia dhe mungesa e konkurrencës prej monopole u konsideruan shqetësime.

Kërkesa për mallra e dhe shërbime nga ana bizneseve nuk pësoi ndryshime në raport me vitin 2019, ndërsa pritshmëritë për eksportet pësuan rritje të lehtë në raport me vitin 2019.

Pak javë më parë edhe bizneset gjermane në vend e cilësuan të zbehtë dhe negative situatën në Shqipëri. Për Dhomën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) problem kryesor i biznesit në vendin tonë për këtë vit është mungesa dhe largimi i fuqisë punëtore, nën titullin "Shqipëria nuk do të jetë dhe për shumë gjatë vendi ku mund të bësh biznes me paga të ulëta.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë