Drejtësia

‘Investitor strategjik’ në Himarë, ish-deputeti i PS Artan Gaçi dhe bashkëshorti i Olta Xhaçkës paraqiten në SPAK

Gazeta Si – Ish-deputeti i PS, Artan Gaçi është paraqitur mëngjesin e kësaj të premteje në Prokurorinë e Posaçme.

Deri tani nuk ka informacione për thirrjen e tij, por një ditë më parë në SPAK, ishte kryetari në detyrë i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i paditur nga Fredi Beleri pikërisht për abuzim me tenderët dhe tjetësimin e pronave në Dhërmi.

Bëhet fjalë për çështjen e rezortit që po ndërtohet nga bashkëshorti i Olta Xhaçkës, ish-ministres së Jashtme në një zonë pranë Himarës me statusin, investitor strategjik.

LEXO EDHE:
– Dyshime për konflikt interesi, bashkëshorti i ministres Xhaçka investitor strategjik
– PS merr në mbrojtje Xhaçkën: S’ka konflikt interesi se iu shpall burri investitor strategjik

Beleri, kryebashkiaku i opozitës që fitoi në 14 maj zgjedhjet lokale në Himarë, më 2 shtator bëri një denoncim në SPAK ndaj Olta Xhaçkës, bashkëshortit të saj Artan Gaçi, si dhe ish-kreut të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.

Në dokumentet e kallëzimit penal, thuhet se Beleri ka hartuar një dosje, që sipas tij përbën skandal me shfrytëzimin e tokave në mënyrë të paligjshme në Bashkinë e Himarës.

Ai nge akuza se kryetari në detyrë i kësaj Bashkie, Jorgo Goro i ka dhënë tokë në Himarë Olta Xhaçkës. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5.512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli, sipas Belerit.

“Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me sipërfaqe 5512 m2 e ndarë si tokë truall. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501 dt 19.07.1991 “Për Token”, ndarja e sipërfaqeve tokë truall. Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar. Komisioni i Tokës në Fshat në kohë, nuk mund te dispononte kurrsesi mbi një sipërfaqe toke truall, sikundër nga ana tjetër, kjo sipërfaqe ku është regjistruar AMTP në fjale në vitin 1994, momenti që gjoja është ndare me AMTP, kjo parcelë nuk ka qenë kurrë tokë truall”, thuhet në kallëzim, ku sipas akuzës, Jorgo Goro e ka nënshkruar këtë planvendosje.

Beleri nëvizon se “të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme”.

Në kallëzim, shtohet se “trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjikë, shtetasin Artan Gaçi etj.

Beleri vijon se edhe “shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”.

Opozita ka mbi 1 vit që kërkon heqjen e mandatit si deputete të Xhaçkës, por PS e ka marrë në mbrojtje deri tani. Me ndryshimet e fundit në qeveri Kryeministri Rama e largoi Xhaçkën nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë