Drejtësia

U padit nga Beleri? Jorgo Goro 3 orë në SPAK, kryetari në detyrë i Bashkisë Himarë nuk jep shpjegime

Gazeta Si - Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro ka dëshmuar për 3 orë në SPAK këtë të enjte.

Por, pasi ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme nuk ka treguar arsyen e ftesës.

I pyetur nga gazetarët se për çfarë shkoi në SPAK, ai deklaroi se ishte thirrur për t’u marrë pyetje si çdo qytetar i thjeshtë.

“Isha në SPAK si çdo qytetar për të dhënë shpjegime. Nuk mund të flas se për çfarë”, tha ai.

Megjithatë, dyshohet se Goro u thirr në Prokurorinë e Posaçme pas një kallëzimi të ngritur nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri për shpërdorim detyre.

Më konkretisht, bëhet fjalë për abuzim me tenderët për çështjen e resortit që po ndërtohet nga bashkëshorti i Olta Xhaçkës, ish-ministres së Jashtme në një zonë pranë Himarës si investitor strategjik.

Kryebashkiaku i opozitës që fitoi në Himarë me 14 maj, Fredi Beleri më 2 shtator bëri një denoncim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, bashkëshortit të saj Artan Gaçi, si dhe ish-kreut të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.

Në dokumentet e publikuara nga mediat, thuhet se Beleri ka hartuar një dosje, që sipas tij përbën skandal me shfrytëzimin e tokave në mënyrë të paligjshme në Bashkinë e Himarës.

Goro vijon të jetë në detyrë, për shkak se Fredi Beleri nuk është betuar ende, ndonëse fitoi në zgjedhjet e 14 majit.

Nga ana tjetër, Beleri ndodhet në qeli majit të këtij viti me akuzën e krimit zgjedhor

Ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve dhe të gjitha shkallët e gjykatave kanë rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.

Seanca e parë gjyqësore ndaj tij si i pandehur është caktuar në datën 12 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë