Politike

PS merr në mbrojtje Xhaçkën: S’ka konflikt interesi se iu shpall burri investitor strategjik

Socialistët morën në mbrojtje ministren e Jashtme, Olta Xhaçka në lidhje me statusin e investitorit strategjik që ka përfituar nga Qeveria bashkëshorti i saj, Artan Gaçi.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se vendimi për dhënien e statusit të investitorit strategjik jepet nga Komiteti i Investimeve Strategjike, ku Olta Xhaçka nuk bën pjesë.

Ajo tha se veç kësaj, Xhaçka nuk ka marrë pjesë as në mbledhjen e Qeverisë që vulosi këtë status, duke njoftuar me shkresë zyrtare për të respektuar ligjin dhe shmangur konfliktin e interesit, sipas Spiropalit.

“Vendimi për investitorët strategjikë dhe statusi jepet nga Komiteti i Investimeve Strategjike, ku Olta Xhaçka nuk është pjesë. Veç kësaj, me shkresë zyrtare Xhaçka ka kërkuar që të mos marrë pjesë në mbledhjen e Qeverisë kur është miratuar statusi i investitorit strategjik. Heqja dorë nga vendimmarrja garanton respektimin e ligjit dhe shmangien e konfliktit të interesit”, tha Spiropali.

Ministrja foli si e deleguar në interpelancën me Kryeministrin Edi Rama të kërkuar nga deputeti i PD-së, Agron Shehaj në lidhje me marrjen e statusit të investitorit strategjik të Artan Gaçit me projektin “Dreamades Luxury Resort” në Dhërmi.

Shehaj tha se dhënia e këtij statusi është kryekëput konflikt interesi. Ai tha se bashkëshorti i ministres Xhaçka u fsheh pas një kompanie në pronësi të një shtetasje 31-vjeçare amerikane, që bashkëjeton me vëllain e ministres.

“Për të shmangur formalisht shkeljen e ligjit, krijohet kompania AGTCC Hotel Management” në pronësi të kunatës së ministres Xhaçka, shtetases amerikane znj.Sutton, e cila prej vitesh jeton në Tiranë dhe bashkëjeton me vëllain e ministres Xhaçka. Me firmën e Kryeminisrit Rama, Kompania “AG.TCC”, në pronësi të bashkëshortit të ministres Xhaçka shpallet investitor strategjik për ndërtimin e resortit në Dhërmi, i cili parashikon marrjen e tokës në bregdet për përdorim për 30 vite”, deklaroi Shehaj.

Sipas Shehajt, Qeveria Rama i jep familjes Xhaçka tokën në bregdet në përdorim në shkelje të nenit 70 të Kushtetutës, që ndalon çdo përfitim për deputetët nga pasuria e shtetit

Por, Spiropali mohoi akuzat. Ministrja deklaroi se aplikimin për të siguruar statusin e investitorit strategjik, Artan Gaçi e ka dorëzuar në emër të vet.

“Artan Gaçi është person i njohur publikisht dhe dokumentin për investitor strategjik është në emër të tij. Nuk e ka fshehur asnjëherë dhe nuk ka gjë këtu për t’u fshehur”, tha Spiropali.

Por, aplikimi fillestar në 2021 është anuluar në 2022 dhe shtohet kompania e themeluar nga kunata e ministres Xhaçka.

“Kryeministri Rama ndryshon vendimin e datës 22 shkurt 2021 dhe shton kompaninë e kunatës së Olta Xhaçkës si investitore strategjike”.

Sipas Spiropalit, “nuk ka asnjë rëndësi nëse është shoqja e vëllait, apo kunata” dhe se vendimi nuk e favorizon bashkëshortin e ministres Xhaçka më shumë se sa e përfiton me ligj.

“Lidhja fisnore nuk ka asnjë lidhje përsa kohë që nuk ka asnjë përfitim shtesë përveç vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike. Asnjë favor shtesë”, u shpreh ajo.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e cilësoi edhe ‘gjyq popullor’ kërkesën e opozitës për komision hetimor për investimet strategjike.

“Doni një gjyq popullor, madje doni edhe Kryeministrin madje që t’u përgjigjet, se nuk ka punë tjetër më të rëndësishme atje në Bruksel. Ka punë të tjera shumë më të rëndësishme, por taksirati im, po s’kam çfarë të bëj”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë