Politike

Investimi 2 mld euro në Portin e Durrësit, Qeveria hap dyert për punëtorët e huaj

Qeveria po shtron shtratin ligjor e rregullator për t’i hapur rrugë nisjes së investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe në Portin e Durrësit, në një projekt që synon transformimin e këtij porti në një port turistik dhe zhvendosjen e portit të mallrave në Porto Romano.

Pjesë e kësaj nisme është ndërhyrja në një vendim të vitit 2013-të, që përcakton kushtet dhe procedurat e pajisjes me vizë të shtetasve të huaj. Në VKM numër 513 të 2013-ës, Qeveria ka bërë një shtesë në pikën 6. Ndryshimet janë miratuar në mbledhjen e 25 marsit, por nuk janë publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë.

“(shtetasit)…. që janë të pajisur me leje qëndrimi të vlefshme, të lëshuar nga autoritetet kompetente të Emirateve të Bashkuara Arabe”, thuhet në ndryshimin e bërë.

Kjo do të thotë se nga ky lehtësim do të përfitojnë shtetas jo të Emiratave të Bashkuara Arabe, por shtetas të vendeve të treta që janë të pajisur me leje qëndrimi prej Emirateve. Në këtë kategori përfshihen kryesisht punonjës dhe njëri prej grupeve që ka më shumë të punësuar prej tyre është grupi “Emaar”, i njëjti që do të ndërtojë Portin e Durrësit në Shqipëri me një investim që parashikohet të shkojë deri në 2 miliardë euro.

Deri para këtij ndryshimi, shtetas që gëzonin të drejtën e pajisjes me vizë nga Shqipëria ishin ata që janë të pajisur me vizë të vlefshme me shumë hyrje-dalje, apo leje qëndrimit të vlefshme të lëshuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut, me kushtin që vizat të jenë përdorur më parë në këto shtete. Sa për vendet e Bashkimit Europian, ata përfitojnë nga mekanizmat e parashikuar nga Shengeni, ku Shqipëria është pjesë që prej 2010-ës.

Një tjetër ndërhyrje është edhe tek lista e shteteve me të cilat Shqipëria heq vizat përkohësisht, në një përpjekje që mund të interpretohet për përthithjen e turizmit. Në një kohë që nga Perëndimi pritet që të ketë kufizime e pengesa lëvizjeje që nuk varen nga Shqipëria, Qeveria synon të joshë turistët e Lindjes së Mesme dhe Rusisë.

Kjo kuptohet nga ndërhyrja që është bërë në listën e shteteve, qytetarët e të cilave hyjnë pa viza në Shqipëri nga 1 prilli deri më 31 dhjetor. Në këtë listë janë Arabia Saudite, Bahreini, Egjipti, India, Katari, Omani, Rusia dhe Tajlanda. Shtetasit e këtyre vendeve mund të hyjnë në vendin tonë vetëm me pasaportë deri në fund të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë