Politike

Qeveria heq nga inventari shtetëror 80 hektarë prona të Portit të Durrësit

Qeveria ka hequr nga inventari i pasurive shtetërore 810 mijë metër/katrorë prona të paluajtshme në zonën pranë Portit të Durrësit, për t’i hapur rrugë nisjes së projektit 2 miliard dollarësh për ndërtimin e portit të ri turistik në këtë qytet.

Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të vitit të kaluar të Qeverisë dhe është botuar në Fletoren Zyrtare. Sipas tij, këtij vendimi prona prej 80.9 hektarësh kalon nga Autoriteti Portual i Durrësit në menaxhimin e Ministrisë së Ekonomisë, për t’i hapur rrugë që kjo e fundit t’ja kalojë më pas investitorit privat që do të zhvillojë portin e ri turistik me statusin e investitorit strategjik.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluaar, Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama me anë të vendimit numër 14/6 i dha statusin e investitorit strategjik projektit “Durrës Yachts & Marina”, që do të ndërtohet nga kompania “Symphony Real Estate Development”.

Dy ditë pas këtij vendimi, Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë zonë bashkë me drejtuesin e kompanisë “Emaar Group”, Mohamed El Alabbar”. Rama tha se kanë nisur hapat e parë për projektin e Portit të Durrësit.

“Në këtë fazë ne po punojmë me 3 konsulentë. Kemi një konsulent mjedisor amerikan, një tjetër belg dhe një grup nga Dubai. Ata propozojnë disa gjëra për përmirësimin e mjedisit, por interesante është që do të futemi thellë në det për të pastruar. Kjo është e bëshme për të krijuar diçka të klasit botëror. Mund të ndërtosh shumë gjëra në tokë, por kur uji s’është i një niveli të mirë, kush do të vijë?”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë