Njerez

Introvertët për herë të parë nuk janë rehat vetëm

Izolimi, distancimi social apo dhe mbyllja e shumë bizneseve duken sikur janë kufizime për introvertët aq sa janë për pandeminë. Introvertët, me dëshirën e tyre për të qëndruar vetëm dhe për të mos komunikuar shumë mund të jenë mjaft rehat me disa nga ndryshimet që solli Covid-19 në jetën tonë.
A është kjo e vërteta?
Gazeta "Si" bisedoi me Arjona Marra, psikologe e cila na tha se introvertët në mendim të parë mund ta shohin pandeminë si një arsye më shumë për të qëndruar vetëm dhe në hapësirat e tyre pa përfshirë njeri tjetër por kjo mund të bëhet më e vështirë kur kjo kohë tejzgjatet dhe jemi përballë të panjohurës, ankthit dhe stresit që kjo pandemi shkakton.

Psikologe Arjona Marra

"Lufta më e mirë kunder ankthit dhe stresit është komunikimi dhe të qenurit i lidhur me njerëzit e tjerë, përfshirja në sporte të ndryshme dhe të shikosh sa më pak lajme." thotë Marra.
A është e lehtë për një introvert t'i bëje këto?
Marra tha se nuk është aspak e lehtë por puna me veten është një fillim i mirë. Çdo njeri duhet ta kuptoje se mirëqenia emocionale dhe psikologjike është më e rëndësishmja dhe introvertët duhet ta kuptojnë se kjo është një periudhë që po e kalojmë të gjithë dhe të gjithë po ndryshojmë për t'u përshtatur. Ndoshta këtu është problemi më i madh që kanë introvertët pasi "për një introvert kjo përpjekje mund të jetë pak më e vështirë se për një ekstovert i cili e ka më të lehtë të kërkojë ndihmë ose të shprehet në lidhje me ankthin dhe panikun që situata mund t'i shkaktoj."
Nga ana tjetër, kur e pyetëm psikologen nëse ekziston mundësia që kjo periudhë të ndryshojë introvertët dhe t'i bëjë më pak të mbyllur e pse jo ekstovertë, ajo tha se nuk ndodh kjo pasi "nuk janë vetëm rrethanat ato që e sjellin këtë ndryshim."
Sipas një artikulli të Forbes, një studim i kryer nga qendra kërkimore "Greater Divide" në Virxhinia ka treguar se introvertët nuk po e kalojnë dhe aq lehtë pandeminë.
Në studim u anketuan 1000 të rritur amerikanë dhe u zbulua se introvertët ishin më të prirur të shfaqnin probleme psikologjike në krahasim me ekstrovertët.
Kjo lidhet me faktin se ekstrovertët e shoqërojnë gjithë periudhën me ndjenja më pozitive për shkak të natyrës që kanë, ndryshe nga introvertët që janë të prirur të jenë më të pasigurt dhe nervozë. Mendoni pastaj gjendjen e tyre në pasigurinë dhe nervozizmin që kjo pandemi jep.
"Ne klinikën time vijnë çdo ditë pacientë introvertë që kërkojnë ndihmë sepse po e përballojnë me shumë vështirësi gjithë situatën."
Kështu e nis bisedën Edlira Tafani, psikologe dhe psikoterapiste EMDR (Eye Movement Desensitization and Reprocessing), një qasje terapeutike për trajtimin e traumave dhe problemeve që lidhen me stresin.
Ajo i tregon Gazetës "Si" se vetë natyra e njerëzve introvert tregon shumë. Ato nuk flasin me familjarët e tyre dhe gjithë stresin dhe frikën i akumulojnë dhe duke mos i shfaqur, kanë probleme të tjera si marrje fryme, takikardi apo dhe djersitje të gjymtyrëve.

Psikologe dhe psikoterapiste EMDR Edlira Tafani

Edlira thotë se më e mira është që introvertët të pranojnë se jemi të gjithë në këtë situatë dhe po e kalojmë të gjithë bashkë.
Diçka tjetër është që të shmangin lajmet sa më shumë në mënyrë që të mos ndikohen dhe mos të jenë të stresuar akoma më shumë.
Familjarët padyshim duhet të mundohen ti mbajnë sa më afër por nëse një introvert do të jetojë me rregullat e veta, e vetmja gjë që mund të bëjnë familjarët është mos t'ju flasin fare për pandeminë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë