Futboll

Intrigat mes Ledure dhe ‘Roc Nation’, prapaskenat pas kaosit Inter-Lukaku

Gazeta Si - Agjencia amerikane kishte shtruar rrugën e akordit mes Interit dhe Çelsit, kurse avokati belg luante në tavolina të tjera. Binari i dyfishtë fitues një vit më parë është sot arsyeja e kaosit.

Interi ka hequr dorë përfundimisht nga Romelu Lukaku, ia ka komunikuar vendimin Çelsit. Sulmuesi ndërkohë ka telefonuar trajnerin Mauricio Poçetino për t’i bërë të ditur se të hënën do të jetë në stërvitje me londinezët. Kjo është situata më e fundit e çështjes ‘Lukaku’.

Marrëveshjet në futboll bëhen mes 3 vetëve: ai që shet, ai që blen dhe lojtari. Prandaj dhe është e vështirë shpesh që ky trekëndësh të gjejë akordin, sidomos nëse ndonjë prej këtytre komponentëve është kompleks, me shumë fytyra. Kjo është galaksia që rrethon aktualisht Romelu Lukakun, avokati-agjent i të cilit, Sebastien Ledure, ka ndarë rrugët me ‘Roc Nation’, agjencinë e fuqishme amerikane që përfaqëson sulmuesin.

Ai ka prishur kështu akordin mes dy këmbëve të tjera të tavolinës, Interit dhe Çelsit që kishin rënë dakord për 35 milionë euro plus 5 bonuse për transferimin përfundimtar të belgut tek ekipi italian.

Po pse me Lukakun merren dy përfaqësues, ‘Roc Nation’ dhe Ledure? Sepse në fund të një kalvari mes prokurash të ndryshme që e kaluan nga Mino Raiola te Federiko Pastorelo, te ‘Roc Nation’ ai shkoi mbi të gjitha për interesa të tij komercialë. Lindi kështu në mënyrë paralele raporti me Ledure, avokatin belg të specializuar për të drejtën sportive, i aftë për të penetruar merkaton e lojtarëve nëpërmjet një studioje që merret me konsulencë për futbollistët.

“E njoh prtej 5 vitesh, falë nënës, - ka thënë avokati një vit më parë në një intervistë për ‘L’Avenir’. – Filloi të bënte disa pyetje dhe fliste me dikë nga kompania. Kështu kontaktuam dhe pak e nga pak Romelu fitoi besim. Kishte vendosur të linte Raiolën për Pastorelon”.

Binari i dyfishtë, një avokat për apsektin ligjor dhe një agjenci për atë komercial, funksionoi vitin e kaluar për rikthimin tek Interi, pas punës së mirë të ‘Roc Nation’ dhe në veçanti të themeluesit të kësaj kompanie, Jay Z.

Agjencia amerikane po punonte për daljen e lojtarit nga ‘Blues’, me destinacion Interin, por Ledure punonte prej javësh në tavolina të tjera, për destinacione të tjera: Aston Vila, Milan, Juventus.

Kjo situatë solli kaosin, që tani mund ta zgjdhë vetëm Lukaku. Një lojtar që në karrierë nuk e ka pasur problem të ndërrojë përfaqësues kur e ka ndjerë nevojën, nga Raiola te Pastorelo e ‘Roc Nation’. Dhe kjo vlen edhe për Ledure.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë