Futboll

Intriga e merkatos, Juventus dhe Inter shkëmbejnë Ikardin me Dibalën

Pritet një merkato e ethshme vera e ardhshme në Itali. Me Juventusin që dominon prej gati një dekade, Inter, Milan dhe Napoli do të përpiqen ta ndryshojnë “muzikën”. Një nga akset më të nxehta pritet të jetë ai mes Juventusit dhe Interit. Dy emrat më të përfolur në këto ditë mediet italiane janë argjentinas, Ikardi e Dibala dhe për momentin nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë në raport me trajnerët dhe tifozët, por edhe klubet respektive.

Ikardi drejt Juventusit

Kalimi i ish-kapitenit Mauro Ikardi drejt Juventusit është ndoshta makthi më madh i tifozëve të Interit. Argjentinasi nuk është më kapiten dhe kjo masë e marrë si ndëshkim nga klubi zikaltër e ka bërë atë që të jetë një hap larg Milanos që në verën e ardhshme. Ajo që i nxiti thashethemet për kalimin e Ikardit në Torino, ishte vetë gruaja agjente e sulmuesit 26-vjeçar, e cila pak javë më parë pati deklaruar se verën e shkuar ai ishte shumë pranë kalimit te Juventus.

Më pas gjithë polemika me shiritin e kapitenit dhe në fund si për t’i hedhur benzinë zjarrit mendoi drejtori i Juventusit, Paratriçi. Drejtuesi bardhezi tha vetëm një fjali e shkurtër, “Për Ikardin do të shohim si do të shkojë në verë”. Por kaq mjaftoi që Ikardi të projektohej nga mediet përtej Adriatikut një hap larg kalimit te Juventus. Por nuk do jetë kaq e thjeshtë, pasi për të realizuar një lëvizje të tillë, Juventus do duhet të përballet me një “ish” Beppe Marota.

Dibala drejt Interit

Një rrëmujë e madhe është çështja Ikardi në shtëpinë e Interit, por nuk është më e vogël ajo e Dibalës te Juventus. “La Loyja” nuk është më “ylli” i Juventusit dhe ardhja e Ronaldos e ka eklipsuar totalisht edhe pse vetë portugezi është mundur ta mbajë sa më shumë afër. Paulo Dibala është këto muaj ndoshta në periudhën më të keqe të Juventus dhe zërat për një largim të tij nga Torino janë më të fortë se kurrë.

Si kundërpërgjigje nga kolegut të tij bardhezi, por edhe shumë më tepër, drejtori i Interit, Bepe Marota deklaroi, që ashtu siç Juventus do të shikojë mundësitë për të marrë Ikardin në verën e ardhshme, të njëjtën gjë do të bëjë edhe Interi për të marrë Dibalën. Duket një fantazi merkatoje, por nëse do të marrim parasysh raportin e Marotës me sulmuesin argjentinas nuk duket të jetë dhe aq shumë e tillë. Për më tepër vështirësitë financiare mund të jenë më lehtë të kalueshme për Interin, pasi në muajin prill përfundon marrëveshja financiare që zikaltërit kanë me Uefa-n për kushtëzimet në shpenzime.

Vera e ardhshme pritet shumë intriguese dhe duhet të përgatitemi për lëvizje të bujshme në kampionatin italian, për ta kthyer këtë ligë edhe një herë në majat e futbollit botëror, aty ku ishte para disa vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë