Futboll

“Saga Ikardi”, të gjitha detajet që po e largojnë nga Interi

Tashmë rrugët e ish-kapitenit Mauro Ikardi dhe Interit po duken gjithmonë edhe më të ndryshme. Sulmuesi argjentinas është në momentin e tij më të vështirë në Milano që nga koha kur u bë zikaltër. Thatësirë golash siç asnjëherë nuk kishte ndodhur, atmosferë e nderë në dhomat e zhveshjes, mungon në ndeshjen e Inter në Europa Legaue dhe “qershia mbi tortë” zhgradimi si kapiten. Janë shumë element që tashmë janë bërë bashke të çojnë drejt një mendimi, se sulmuesi 25-vjeçar verën e ardhshme do të largohet nga Inter. Është një opsion mëse i mundshëm, por si erdhën gjërat deri këtu, nga kapiteni dhe simboli i kësaj skuadre në një njeri të padëshiruar.

Për mediet italiane ka një shkaktar të vetëm për të që po ndodh mes Inter dhe Mauro Ikardit. Quhet Vanda Nara dhe është njëkohësisht bashkëshorte dhe agjente e sulmuesit argjentinas. Në rend kronologjik, mediat përtej Adriatikut kanë bërë një përmbledhje të të gjitha deklaratave të Vandës në këto 3 vitet e fundit që kanë kulmuar janarin e këtij viti.

Nëntor 2017: "Kam marrë disa telefonata"

Rinovimi dhe merkato. Kontrata e vitit 2017-të e Ikardit e nënshkruar me zikaltrit është ende shumë e re, por gruaja e Ikardit ka shumë kohë që flet për çështje largimi apo edhe rinovimi të kontratës. Disa herë është rikonfirmuar vullneti i sulmuesit për të qëndruar te Inter, por disa herë është vënë në dyshim. "Kam marrë disa telefonata, por unë nuk them nga kush," pati thënë Vanda Nara në atë kohë, "vlera e tij është minimumi 200 milionë euro".

Shkurt 2018: "Një janë shumë ekipe të interesuara"

Një tjetër deklaratë për të ardhmen e Ikardit që nuk është vlerësuar shumë nga ambienti zikaltër u publikuara gjithmonë në Corriere dello Sport në shkurt të 2018-ës. "Në këtë periudhë kanë ardhur disa ekipe të rëndësishme të cilët kanë treguar se e vlerësojnë Mauro dhe unë kujdesem për të ardhmen e tij, të paktën duhet t'i dëgjoj, të vlerësoj kushtet dhe situatën".

Mars 2018: “Ne qeshim dhe bëjmë shaka”

Wanda zë faqen e parë të Gazeta dello Sport, duke deklaruar se “jemi të sigurt për rinovimin e Ikardit dhe kur takoj drejtuesit në stadium, ne qeshim dhe bëjmë shaka. Unë bëj shakanë se vlera e tij rritet në çdo ditë që kalon.'

Maj 2018: “Ka disa klube të mëdha që e dëshirojnë”

Klauzola e Ikardit për lirimin prej 110 milion eurosh qëndron përpara merkatos së transferimit të verës dhe Wanda paralajmëron: "Ka disa klube të mëdha që dëshirojnë të paguajnë klauzolën e lirimit që, për t'ju thënë të vërtetën, duke marrë parasysh shifrat, nuk janë aq shumë për një lojtar si ai. Ka shumë klube që po na nxisin… "

Maj 2018: "Ai mund të gjej ose të sjellë njerëzit vetëm duke ngritur një gisht"

Në atë kohë fjalët e Vanda erdhën direkt nga Argjentina, dhe nga programi radiofonik “Perros de la Calle”. Tema në këtë kohë lidhej edhe me situatën në kombëtaren Argjentinase: "Mauro shpreson në thirrjen e Sampaolit, ai është një person që mban profilin e ulët, një person i përulur". Por në Inter, nëse ai dëshiron mund të gjej ose të sjellë njerëzit me vetëm një gisht".

Dhjetor 2018: "Interi donte ta dërgonte te Juventusi"

Ndoshta më sensacionale nga deklaratat e Vandës ishte ajo që tha në emisionin “Tiki Taka” disa muaj më parë. Rinovimi? "Ne jemi shumë larg nga Interi, oferta nuk ekziston, unë duhet të ulem dhe të bisedoj me ta, dhe unë nuk e kam bërë atë verën e kaluar, kur kemi qenë një këmbë larg nga Milano. Te Juventus ishin të interesuar, por Mauro më tha që nuk donte dhe dëshironte të qëndronte në Inter".

Janar 2019: ”Perisiç ndoshta ka probleme personale"

Një deklaratë tjetër e pakëndshme nga Vanda ishte ajo e janarit 2019. "Perisiç ka kërkuar transferimin. Nuk është hera e parë që thuhet për Perisiç që luan keq. Mirupafshim? Ndoshta ka edhe probleme personale".

Janar 2019: “Mos ndërhyni në çështjet familjare”

Vanda jep përgjigjen e saj. "Askush nuk lejohet të ndërhyjë në punët e mia familjare, duke raportuar lajme false dhe të njëanshme. Mungesa e respektit ndaj një zotërie si Ikardi. Kjo gjë është me të vërtetë e turpshme".

Janar 2019: “Interi ka prioritete të tjera tani”

Pak ditë më vonë pas kësaj deklarate, Vanda solli pak qetësi, duke thënë në Tiki Taka: "Nuk kemi diskutuar figura, Interi ka prioritete të tjera tani … Më pëlqen Marota, ai duket si një njeri i sinqertë dhe sot ai e tregoi, ai është ajo që na nevojitet. Ka hipokrizi në futboll, por ai të sheh në fytyrë dhe të thotë të vërtetën, dhe në këtë industri nuk jemi mësuar me të. "

Shkurt 2019: “Nganjëherë gjërat e këqija kanë dalë nga brenda”

Por pak ditë më pas Vanda u rikthye në ofensivë. "Nuk e përmenda rinovimin kur klubi më thirri. Unë do të doja të shihja Mauron më të mbrojtur nga klubi, sepse nganjëherë gjërat e këqija kanë dalë nga brenda".

13 shkurt 2019: Akti final

Mauro Ikardit i është hequr shiriti i kapitenit nga Inter dhe zëvendësohet nga Samir Handanoviç. Siç shihet është një seri deklaratash të Vandës që duket se e kanë sosur durimin e drejtuesve të Inter. Aq më tepër kjo mase vjen nga një njeri si Marota që më herët ka treguar se para të gjithëve, te futbollistët ai vlerëson karakterin dhe moralin dhe të tilla deklarata të agjentes grua, janë të papranueshme. Për interin ishte e papranueshme që gruaja e kapitenit të fliste kundër ekipit në një nga emisionet më të njohura sportive si “Tiki taka”. Tashmë shumë kompani bastesh në Europë kanë botuar edhe kuota për largimin e Ikardit nga Inter dhe në orët e fundit shanset janë shumëfishuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë