Futboll

Interi siguron 10 mln euro nga sponsori, një miliarder finlandez kërkon ta blejë

Gazeta Si – Interi ka firmosur kontratën me sponsorin e ri, që i garanton klubit zikaltër 10 milionë euro. Platforma amerikane Paramount+ do të shfaqet në fanellat e Interit për ndeshjet me Torinon dhe në finalen e Championsit me Mançester Sitin.

Në sezonin 2023-24, Paramount+ do të qëndrojë si partner i klubit, por jo si ‘main sponsor’, do të zërë hapësirë të konsiderueshme në fanellë. Nga marrëveshja e re zikaltrit do të përfitojnë 10 milionë euro, duke mbushur kështu "vrimën" e krijuar nga DigitalBits, që prej disa javësh është hequr nga fanella e skuadrës së parë.

Fanella e Interit me emrin e sponsorit. Gazeta Si, 2 qershor 2023

Në anën tjetër, ka zëra për pronarë të rinj tek Interi dhe Suning mund të vlerësojë ofertat për shitjen e klubit. Sipas Reuters, miliardari finlandez Thomas Zilliacus, ish-drejtues i Nokias, që muajt e fundit kishte tentuar të blinte Mançester Junajtid, tani kërkon Interin. Manjati ia ka vënë syrin Interit dhe ka gati ofetën.

Për momentin ai e ka dribluar këtë çështje, duke thënë: "Nuk e shqetësojmë Zhang dhe Interin, kanë përpara Championsin". Nga burime pranë Zilliacus është mësuar se ai ka bërë më shumë se një sondazh për blerjen e klubit italian. Tani topi i kalon Suning dhe ‘Goldman Sachs e Raine’, që ndjekin klubin për shërbimet e konsulencës.

Zilliacus në Tuiter ka shkruar: "Shumë persona më pyesin për blerjen e Interit. Steven Zhang është pronar dhe ka bërë një punë të madhe, gëzon respektin tim. Nuk duam të shpërqendrojmë para finales së Championsit".

Finlandezi Thomas Zilliacus e ka të lidhur prej vitesh emrin e tij me kolosin e telefonisë Nokia. Ai e ka bërë këtë markë nga më të njohurat në botë, me të ardhura rekord. Finlandezi është themelues i kompanive të sektorit imobiliar, sportit dhe medias, që në total e kalojnë vlerën e 3 miliardë dollarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë