Futboll

Interi s’gabon, derbi europian me Milanin në gjysmëfinale. Kalon edhe Siti

Gazeta Si – Zyrtarizohet derbi i Milanos mes Interit dhe Milanit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Interi nuk gaboi në kthim përballë Benfikës, duke u kualifikuar me një barazim 3-3. Gjysmëfinalja tjetër është ajo mes Real Madridit dhe Mançester Sitit, pasi edhe ekipi i Guardiolës nuk hasi vështirësi ndaj Bajernit.

Në ‘San Siro’ u mbyll gjithçka 3-3, por që mjaftoi për kalimin në gjysmëfinale, pas fitores 0-2 në Lisbonë. Interi kthehet mes 4 më të mirëve të Europës pas 13 vitesh dhe tani pritet një derbi europian mjaft i ndezur me ‘kushërinjtë’ e Milanit.

Interi gjeti avantazhin me anë të Barelës, që kishte shënuar edhe në Portugali. Mesfushori veproi bukur në zonë dhe mposhti portierin Vllahodimos. Benfika arriti të barazonte me Aursnes, pas një gjuajtje të saktë me kokë.

Në pjesën e dytë Lautaro Martinez kaloi sërish zikaltrit në epërsi. Trajneri Inzagi më pas ndërhyri me ndërrimet e tij të zakonshme, duke freskuar sulmin me Lukakun dhe Korrean. Ishte pikërisht argjentinasi që shënoi edhe golin e 3-të vetëm pak minuta pas futjes në fushë.

Portugezët shkurtuan në 3-2 me Antonio Silvën, edhe këtë herë Onana u mposht nga një gjuajtje me kokë. Në minutën e 5-të shtesë Benfika barazoi shifrat në 3-3, me zëvendësuesin Musa. Nuk ka më kohë dhe në fund festojnë italianët, që e shohin veten në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Bajerni la për të dëshiruar edhe në ndeshjen e kthimit me Mançester Sitin, ku barazoi 1-1. Një penallti në fund, e kthyer në gol nga Kimish, shmangu humbjen e dytë të bavarezëve, pasi i zakonshmi Haland kishte shënuar më parë për skuadrën e Guardiolës. Norvegjezi humbi një penallti në pjesën e parë.

Ashtu si në ndeshjen e disa ditëve më parë në Angli, Bajerni vuajti gabimet në mbrojtje, kryesisht nga Upamekano. Gjermanët e mbyllin në çerekfinale aventurën e Championsit këtë sezon, ndërsa Siti duket gjithmonë e më tepër favorit për fitimin e trofeut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë