Futboll

Interi rrit presionin për Kumbullën, Lacio dhe Napoli s’heqin dorë

Drejtuesit e Interit dua ta mbyllin sa më parë marrëveshjen me mbrojtësin e Kombëtares, Marash Kumbulla, i kërkuar edhe nga shumë klube të tjera me emër. Sipas “Corriere della Sera”, Marota dhe Auzilio e kanë rritur presion dhe së fundi kanë takuar edhe agjentin e futbollistit të Veronës, Xhani Vitali, me të cilin kanë biseduar për përshpejtimin e transferimit të Kumbullës në Milano.

Konkurrenca për Kumbullën është shtuar shumë dhe drejtuesit e klubit zikaltër duan t’i paraprijnë situatës, pasi e duan me çdo kusht në ekip mbrojtësin 20-vjeçar kuqezi. Për shkodranin vazhdojnë të këmbëngulin edhe Napoli dhe Lacio. Madje, De Laurentis kishte arritur një akord me kolegun Seti për 21 milionë euro, plus 4 milionë euro bonuse. Por vetë Kumbulla nuk kishte dëshirë për të kaluar te Napoli dhe marrëveshja nuk u konkretizua.

Artikulli i "Corriere della Sera" për Kumbullën. Gazeta Si, 19 shkurt 2020

Pas refuzimit të Napolit nga mbrojtësi shqiptar duket se qëndron pikërisht Interi, që nuk do t’i shpëtojë nga duart Kumbulla, ndaj dhe përfaqësuesit e tij kanë takuar shpesh njerëzit e afërt të lojtarit për t’ua bërë të qartë se ai do të ketë një rol të rëndësishëm në projektin e trajnerit Antonio Konte. Por kujdes nga Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, i cili ka bërë lëvizjet e veta për patriotin e tij. Për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare ka interesim edhe nga Fiorentina, por edhe nga klubet më të mëdha në Gjermani.

E gjitha kjo situatë i shtyn drejtuesit e Interit që të bëjnë çdo lëvizje që në këtë moment për të mbyllur marrëveshjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë