Futboll

“Interi nuk fitonte nga Kalçopoli, sa e çuditshme ajo Bolonja-Juve!”

Rikthehen polemikat e kohës së Kalçopolit në futbollin italian. Për atë kohë ka folur një nga protagonistët e fushës, Julio Kruz, një nga lojtarët që kanë mbetur në zemër të tifozëve të Interit. Në një intervistë të fundit për “Infobae”, ish-sulmuesi ka prekur tema të ndryshme, ku më interesantja është ajo e Kalçopolit, pas së cilës u dënua Juventusi.

“Il Jardinero”, siç është mbiquajtur argjentinasi në kohën kur luante me Interin, kujton disa episode ”të çuditshme” para se të shpërthente skandali i manipulimit të ndeshjeve, i njohur ndryshe si “Kalçopoli”. Kruz kujton veçanërisht ndeshjen Bolonja-Juventus të prillit të 2003-shit, që përfundoi 2-2, me gol të Kamoranezit në minutën e 95-të. Në atë kohë ai ishte pjesë e Bolonjës.

“Ishte një ndeshje kundër Juventusit. Po fitonim 2-0 dhe po e administronim me qetësi lojën. Po luanim në mënyrë spektakolare, por në fund barazuam. Minutat e fundit ndodhi diçka e pabesueshme, të gjithë faullet ishin kundër nesh dhe u dhanë 7 minuta shtesë. Na barazuan në minutën e 95-të. Si ka mundësi të jepen kaq shumë minuta shtesë? Çdo kontakt me kundërshtarin ishte faull për ata. Dikush mund të ketë menduar se edhe mund të ndodhte, por më pas doli në dritë gjithçka. Ishte diçka shumë e fortë, gjithë bota pa çfarë ndodhi në futbollin italian. Prej atij momenti Interi filloi të fitojë tituj, më parë nuk mund të bënte asgjë, sepse humbte ndeshje të pabesueshme. Ka pasur ndeshje të çuditshme, ku arbitrat ndërhynin shumë. Ndaj meje bëheshin faulle për penallti dhe arbitri thoshte se kisha simuluar”, - ka treguar Kruz.

Julio Kruz, kur luante me Interin. Gazeta Si, 13 dhjetor 2019

Më pas, argjentinasi ka folur për secilin nga partnerët e sulmit me zikaltrit. “Adriano ishte një djalë fantastik. Ishte rritur në një lagje të varfër, me probleme personale. Vdekja e të atit e mundonte shumë dhe të gjithë u përpoqëm ta ndihmonim, argjentinasit, portugezët, si Figo, që flsinim të njëjtën gjuhë. U munduam të gjithë, por mendja njerëzore është e tillë, nuk mund ta dish çfarë mendon tjetri. Flisnim me të, por pas gjysmë ore bënte çfarë donte, u fut në depresion dhe nuk kishte shoqërinë e duhur rreth tij. Mëkat, sepse ishte një fenomen.

Baloteli? E kemi parë të gjithë potencialin e tij dhe atë çfarë mund të bënte. Mendja është shumë e rëndësishme në sport dhe gjithçka bazohet në ambientin që ke rrotull. Sot është te Breshia. Në fillim ishte i qetë, i përulur, derisa shënoi disa gola të rëndësishëm. Në atë moment fluturoi, pasi dikush i tha se ishte Pele. Ishte ende vetëm në fillim të karrierës.

Me Zllatan Ibrahimoviçin kam pasur një raport të shkëlqyer. Është e vështirë të luash me dy numra 9 në gjatësinë tonë, por ne nuk patëm probleme. Zakonisht në sulm luajnë një i gjatë dhe një i shkurtër, por një sezon ai shënoi 25 gola, kurse unë 23. Jemi marrë vesh në mënyrë perfekte, në fushë dhe jashtë saj”, - ka thënë ish-sulmuesi i Interit, Julio Kruz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë