Milano është një qytet shumë i rëndësishëm në Europë. Një qytet, ku turistët shtohen nga java në javë dhe në muajin janar është e lehtë të gjesh aty edhe shumë fytyra të njohura të botës së futbollit. Milano është një nga qendrat e merkatos europiane dhe aty lëvizjet bëhen edhe para kohe. Interi e ka gjithë përqendrimin te titulli dhe trajneri Konte kërkon të paktën tre përforcime, por njerëzit e merkatos zikaltër po mendojnë njëkohësisht edhe për verën.
Sipas prestigjiozes italiane “La Gazzetta dello Sport”, emri më i nxehtë në këtë moment është ai Marash Kumbullës, mbrojtësit shqiptar të Veronës. Xhuzepe Marota, administratori i Interit, ka intensifikuar përpjekjet për mbrojtësin e ri, emri i të cilit figuron si një objektiv i klubeve më të mëdha në Itali, Angli dhe Gjermani. Xhani Vitali, agjenti i lojtarit, takoi dje drejtuesit e Veronës për ta pasur më të qartë situatën. Kumbulla i pëlqen shumë Interit edhe për përshtatjen taktike, ai është vërtet një lider në mbrojtjen me tre, kështu që nuk do të kishte asnjë problem të futej në mekanizmin e Kontes.

Interi ka marrë “ok”-in e Veronës dhe të lojtarit për kryerjen e transferimit në verë. Verona kërkon 20 milionë euro për Kumbullën, por edhe përfshirjen e Dimarkos që tani si huazim, ndoshta edhe rionovimin e hauzimit të Salcedos në verë. Bashkë me Vitalin, agjentin e Kumbullës, në zyrat e Veronës ishte edhe Stefano Kastanja, i cili ka autorizimin për të të negocuiar me klubet angleze për futbollistin shkodran. Nga Premier League kanë kërkuar iformacion për Kumbullën klube si Çelsi, Mançester Junajtid dhe Evertoni i Ançelotit, i cili që kur ishte te Napoli kishte treguar interes.
Marash Kumbulla, mbrojtësi kuqezi, është çështje dite në merkato dhe Kombëtarja, me kalimin e tij në një klub më të madh europian, me siguri do të përfitojë shumë. Mbrojtja kuqezi e ka të ardhmen të sigurt, pasi në këtë repart bëjnë pjesë aktualisht lojtarë të rinj në moshë si Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Frederik Veseli dhe Kastriot Dermaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.