Gazeta Si – Një ditë na ndan nga finalja e Championsit. Interi mbërriti të enjten në Stamboll për t’u ambientuar me klimën dhe për të kryer stërvitjet e fundit në ‘Ataturk’. Trajneri Inzagi ka rikuperuar edhe Korrean dhe Mkhitarian për sfidën me Sitin, kështu që grupi është i plotë.

Atmosfera është pozitive në kampin zikaltër. Shumë nga ish-futbollistët e Interit, mes tyre edhe ata që fituan tripletën e famshme me Mourinon, besojnë te suksesi. Uesli Shnejder parashikon 1-1 kohën e rregullt dhe fitoren e Interit me penallti. Kristian Panuçi, ish-trajner i Kombëtares shqiptare, ka thënë se ka parandjenja të mirë para finales në favor të Interit.
Adriano Galiani, administrator i Moncës dhe ish-drejtues i Milanit, ka thënë se do të bëjë tifo për Interin në finale. "Pres një ndeshje komplekse, si të gjitha finalet. Nuk jam bërë interist, por si italian do të bëj tifo për skuadrat italiane", - tha ai.
Presidenti i Interit, Steven Zhang, ka karikuar të tijtë në prag të finales, duke shprehur besimin për fitore: “Nuk kemi frikë nga Mançester Siti, kemi kualitet për ta mundur. Championsi nuk është një ëndërr e ndaluar”, - tha presidenti i Interit.

"E respektoj shumë Sitin, ka një skuadër të mrekullueshme, - shtoi më tej Zhang, - por nuk është e pamundur. Këto vite, sa më lart ka qenë kundërshtari ynë, aq më mirë kemi luajtur. Inter është i fortë me skuadrat e forta dhe lë pikë më ato që janë më të dobëta.
Kam menduar shumë si do të ishte të fitosh Championsin. Edhe të ëndërroje dukej e pamundur, por tani jemi në finale dhe kemi një dëshirë të pabesueshme për të provuar të fitojmë. Pa frikë, ne besojmë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.