Futboll

Interi heq dorë nga Morata, Balogun del në krye të listës për fuqizimin e sulmit

Gazeta Si – Nuk do të jetë Morata zëvendësuesi i Lukakut. Spanjolli që për karakteristikat dhe eksperiencën ishte menduar nga trajneri Simone Inzagi si partneri ideal i Lautaros, është ‘djegur’ për çështje ekonomike.

Askush tek Interi nuk i vë në dyshim vlerat sportive të Moratës, por kërkesat e Atletiko Madridit kanë bërë që zikaltrit të ndryshojnë rrugë. Janë shumë për ta 21 milionë eurot e kërkuara nga klubi madrilen për një lojtar 31-vjeçar dhe që ka një pagë të lartë, që do të peshonte në llogaritë e Interit më shumë se ‘Big Rom’. Në këto kushte, Morata ka rënë poshtë si variant.

Sulmuesi spanjoll, Alvaro Morata. Gazeta Si, 29 korrik 2023

Në krye të listës së klubit zikaltër është tashmë Folarin Balogun, që ndiqet nga Beto, kurse Skamaka mbetet një opsion i minutës së fundit, që lidhet me largimin e mundshëm të Korreas.

Ai që intrigon më shumë është sulmuesi amerikan. Balogun i përshtatet më shumë atij që presidenti Zhang e ka konsideruar si një "Inter më të ri dhe më të fortë". Është një investim për perspektivën ai për 22-vjeçarin e Arsenalit, që luan si sulmues i parë, është shumë i shpejtë dhe ka cilësi ndryshe nga ata që janë aktualisht në skuadër.

Kostoja e kartonit nuk është e ulët për arkën e Interit, por në këtë rast është avantazhi i një page më të ulët se e Moratës. Operacioni vështirë se mund të jetë më i ulët se 40 milionë, afërsisht shifra që Interi do të investonte për Lukakun. Gjatë kësaj fundjave janë parashikuar takime me Arsenalin.

Mbetet edhe hipoteza Beto. Portugezi i Udinezes pëlqehet për karakteristikat teknike dhe fizike, por për momentin është një shkallë poshtë amerikanit. Pastaj vjen Skamaka, për të cilin gjithçka varet nga Korrea. Nëse argjentinasi largohet nga Interi, mund të diskutohet me Uest Hamin për një akord të mundshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë