Pasi ka marrë rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave, Greqia vijon t’i kujtojë Shqipërisë kushtet për të mbështetur procesin e anëtarësimit për në BE.
Ministria e Jashtme greke, përmes një deklarate të publikuar së fundmi thekson se është “duke punuar për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë”, por i kujton vendit tonë disa kushte që duhen përmbushur. E në këtë rast, Greqia ndalet tek shqetësimi i saj i përhershëm, pakicat kombëtare dhe zbatimi i të gjithë legjislacionit për të drejtat e njeriut sa i takon minoritetit.

“Siç është bërë e qartë në raportin e Komisionit Evropian, respektimi i të drejtave të minoritetit grek është i lidhur drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe është pjesë integrale e pesë prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave të vendit për anëtarësim në BE, përmbushja e të cilave do të trajtohet nga Këshilli i Evropës. Në këtë kontekst, ne presim garanci për të drejtat e minoritetit në të gjithë Shqipërinë, një masë që Shqipëria kishte ndërmarrë për ta miratuar deri në maj 2018, dhe zbatimin e ligjit të pronësisë për anëtarët e minoritetit”, thuhet në deklaratë.
Por, duket se në listën e fqinjit jugor është shtuar edhe një “kusht” i ri, Fredi Beleri. Greqia e shikon si pengesë vendimin e KQZ për të mos lejuar kandidimin e Belerit për të garuar si i pavarur për Bashkinë e Himarës.
“Këto veprime shkelin të drejtën e patjetërsueshme të përfaqësimit politik të Pakicës Kombëtare Greke në zgjedhjet komunale në Himarë”, thuhet më tej në deklaratë.
Në fakt, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Belerit, që do të thotë se ai nuk do të lejohet që të kandidojë për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

KQZ ka parashtruar argumentet sipas së cilëve, pavarësisht se kanë kaluar mbi 10 vite nga dënimi i tij dhe ndonëse mund të quhet sipas ligjit “i rehabilituar”, dekriminalizimi nuk e njeh si masë lehtësuese.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme greke e mbyll deklaratën me një thirrje për Shqipërinë. “Ne i bëjmë thirrje Shqipërisë që të kthehet në drejtim të përparimit dhe jo të bëjë hapa pas, në mënyrë që procesi i saj i pranimit të vazhdojë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.