Nga Gazeta ‘Si’- Kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha se një nga kapitujt më sfidues të grupkapitujve të negociatave është mbrojtja e mjedisit.
Në Komisionin e Jashtëm, Dhuka tha se investimet për mbrojtjen e mjedisit kërkojnë investime të vazhdueshme dhe bashkëpunim për burimet e rinovueshme.
“Është një nga fushat më sfiduese për anëtarësimin dhe pas anëtarësimit duke qenë se kërkon investime të mëdha në infrastrukturën publike e private sa i përket ndotjeve në ajër, ujërave, ndaj do të na duhet të punojmë të gjithë së bashku në lidhje me burimet e rinovueshme”, tha Dhuka.
Në 10 prej grupkapitujve, Dhuka nënvizoi se ka përfunduar puna (teknikisht) në 3 prej tyre dhe vijon puna për 7 të tjerë. Në vijim, ajo tha se Kuvendit do t’i paraqiten për shqyrtim 8 paketa ligjore.
“Për 3 nga këto kapituj mendojmë se i kemi përmbushur teknikisht të gjitha kushtet. Jemi në pritje të vlerësimit nga ana e tyre, por në fazë të avancuar janë edhe 7 kapituj. Konkretisht kemi përfunduar punën për marrëdhëniet me jashtë, kërkimin shkencor, kulturën dhe arsimin, kurse në të tjerët vijon puna. Do të paraqiten rreth 8 paketa të rëndësishme ligjore për shqyrtim në Kuvend”, bëri me dije Dhuka.
Dhuka u ndal edhe te puna e bërë në fushën e drejtësisë, një nga reformat kyçe në këtë proces.
“Shqipëria ka miratuar të paktën 222 akte ligjore dhe nënligjorë gjatë vitit 2025, ose 3 herë më shumë në krahasim me 2024-ën, ku janë miratuar rreth 82 të tilla. Nga këto, 44 janë ligje të miratuara nga Kuvendi, 78 vendime nga Këshilli i Ministrave dhe 100 akte të tjera të natyrës ligjore, të institucioneve të ndryshme, përfshirë edhe ato të pavarura.
Prej tyre, 75 akte kanë kontribuar në përmbushjen e kushteve të ndërmjetme. 111 akte kontribuojnë te 101 kushtet e mbylljes së negociatave. 12 akte i përkasin facilitetit për reforma dhe rritje, 24 janë akte të tjera të natyrës përafruese.”
Sipas Dhukës, këto projektligje kanë kaluar në konsultim publik.
Ajo u ndal edhe tek Lufta kundër korrupsionit për të cilën tha se për parandalimin e saj janë marrë një numër masash.
“Kemi hartuar një paketë ligjore me 5 projektligje, 3 prej të cilave janë miratuar. Ligji për lobimin, konfliktin e interesit dhe sinjalizuesit. Janë në fazë të avancuar dy projektligje, ai për financimin e partive politike dhe ai për sponsorizimet dhe donacionet. Shqipëria ka zbatuar me normë të lartë masat në parandalimin e korrupsionit, 85.7% e këtyre masave janë zbatuar!”, tha ajo.
Ndërkohë Zëvendëskryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, pati kritika për raportimin e kryenegociatores duke thënë se qeveria nuk jep informacione lidhur me procesin e negociatave.
Vokshi deklaroi se raporti nuk është realist dhe pyeti Dhukën nëse edhe vetë ajo e beson raportin e qeverisë. Sipas saj, nuk ka asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa asnjë nga kriteret bazë për integrimin nuk është përmbushur.
“A i besoni ju vetë ato që na i paraqitët si arritje? Problematikat i kemi të gjithë mbi supe. Çdo qytetar e ndjen peshën e korrupsionit. Sa më shumë korrupsion, aq më pak shërbime. Sot vendi ndodhet në varfëri të thellë dhe këtë e thonë institucionet ndërkombëtare. Referojuni raportit të Komisioni AFET, aty ka një listë të gjatë çështjesh, por ju nuk e merrni për bazë. Nuk i referoheni as raportit të OSBE/ODIHR, pra po shpërfillni raportet ndërkombëtare. Ju këtë proces e trajtoni si sekret.
Kjo është pyetja më e rëndësishme: cilat janë kushtet? Si mund të bëhet vlerësimi pa i ditur këto detaje?Pse e mbani top sekret procesin? Pse nuk i bëni publike? Çdo gjë e marrim nga komisioni, asgjë nga qeveria shqiptare. 0 informacione. Kush e vendos ka pasur përparim apo regres kur nuk bëhet publike? Do ju kërkoja ta bëni publike. Raportimi juaj është në linjën editoriale Rama-Vuçiç? Sa të sigurta janë fondet? S’na folët asnjë fjalë për IBAR-in. Keni prodhuar raporte, plane integrimi, por cilat janë faktet? 0 rezultat”, tha Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje