Politike

Balla- opozitës: Ju ‘dashnorët’ e integrimit luteni çdo ditë që Shqipëria të dështojë!

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste kritikoi opozitën se sipas tij po lutet që Shqipëria të dështojë në procesin e integrimit në BE.

Balla tha se sfida kryesore e qeverisë dhe Kuvendit është t’i rrijë strikte afateve të vendosura që synojnë mbylljen e negociatave në Krishtlindjet e vitit 2027.

Balla foli gjatë seancës dëgjimore të Komisionit për Punët e Jashtme, që u mbajt me kryenegociatoren, Majlinda Dhuka, për raportin e qeverisë për procesin e integrimit në BE.

Ai kritikoi opozitën se sipas tij jo vetëm nuk lexon ligjet e Kuvendit që u vihen përpara në çdo seancë apo konferencë kryetarësh, por edhe lutet që integrimi i vendit të bllokohet.

Balla i ftoi që për një herë të vetme ta jepnin votën e tyre pro reformave dhe procesit të integrimit, duke e votuar raportin dhe që të mbaheshin mend se kontribuan për këtë proces.

“Gjejeni veten dhe thoni bujrum, jepe një votë, po them po jap një votë, po e vë një tullë. Thuaj po jap edhe unë një dorë, e të thoni që kam kontribuar edhe unë në anëtarësimin e BE-së, ju dashamirësit apo dashnorët e Bashkimit Evropian. Ndaj i referohem vlerësimeve që vijnë nga kryekomisionerja Marta Kos. Ajo thotë se Shqipëria është shembulli më i mirë transformues. Por edhe presidenca daneze e vlerëson progresin shumë mbresëlënës. Ata e vlerësojnë procesin e integrimit të mirë”, tha Balla.

Ai akuzoi kundërshtarët se punojnë për të mos u integruar Shqipëria në BE.

“Ka nga ata që thonë e luten që Shqipëria të dështojë. Shqipëria duhet të jetë dhe do jetë anëtare e BE-së. Ne duhet të nisim përgatitjen që të ketë kandidatët e vetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029. Raporteri Schider e konsideroi Shqipërinë si vendi me i avancuar, pararojë nëse do i referohesha fjalës fiks, lokomotivë nëse e doni, se pashë pasthirrma pas fjalës time”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë