Politike

Integrimi në BE, Ambasadorja Kim: Mbështesim të gjitha përpjekjet, përfshirë ‘Ballkanin e Hapur’

“Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe SHBA-së ka përparuar shumë në këto 31 vite’ tha ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, në konferencën “Shqipëri-SHBA” në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Regjimi i Hoxhës mbylli vendin dhe u përpoq të helmojë miqësinë mes shqiptarëve dhe amerikaneve.  Në vitin 1991 pati një fillim të ri.

Edhe pse kam parë me mijëra herë fotografi, ende më prekin shumë fotot e 300 mijë shqiptarëve. U mblodhën në sheshin ‘Skënderbej’ për të thënë se ne jemi me ju, për të dëgjuar sekretarin Baker se liria funksionon”, tha ajo.

 “31 vite pas rënies së komunizmit mbetet ende shumë për të bërë. Mendoni sa shumë kemi përparuar’, vijoi ajo.

Në një prononcim të mëvonshëm për median, Kim nënvizoi: “Ne mbështesim të drejtën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të jenë të integruar në Europë dhe të integruar mes vete.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë përpjekjet, përfshirë dhe Ballkanin e Hapur, në mënyrë që të jenë konseguente dhe të kontribuojnë për procesin e integrimit që ndiqet nga BE dhe që janë të hapur për 6 vendet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë