Lajme

Integrimi, Kryeministri Rama: Nuk po garojmë me Serbinë e Malin e Zi

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “The Parliament Magazine” ka deklaruar se Shqipëria nuk është në garë më Serbinë, Malin e Zi e vendet e tjera për procesin e integrimit.

Duke iu përgjigjur pyetjes për refuzimin e hapjes së negociatave kur procesi ndodhi me Serbinë e Malin e Zi, Rama ndër të tjera u shpreh:

“Brukseli ishte pragmatik. Pas konflikteve të tmerrshme në ish-Jugosllavi, ishte e natyrshme që vëmendja të përqëndrohej në atë pjesë të Gadishullit Ballkanik. Ishte zhgënjyese për ne, por e kuptueshme në kontekst. Megjithatë, për të parë procesin si një garë me varka, është gabim, është metaforë e gabuar. Shqipëria nuk po konkurron me miqtë tanë në Serbi, Mal të Zi apo kudo tjetër. Në fakt, të gjithë ne po punojmë gjithnjë e më shumë me fqinjësinë, tregtinë, digjitalizimin, promovimin e turizmit, policinë dhe të tjera”

Në lidhje me procesin e Vetting-ut, Rama deklaroi se ka rekomandime që “modeli shqiptar” të zbatohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Ne në Shqipëri kemi pasur një problem të madh me sistemin e korruptuar gjyqësor. Zyrtarët e BE-së na thanë se duhej ta rregullonim këtë. Pra, së bashku me Brukselin, edhe me ndihmën e Uashingtonit, ne kemi krijuar një formulë për të forcuar sundimin e ligjit dhe institucionet gjyqësore. Kjo ka përfshirë ndryshime të thella kushtetuese. Një element kyç është një sistem jopartiak i verifikimit për të çrrënjosur sistemin e drejtësisë të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar ose jokompetentë. Deri tani, 21 janë larguar nga detyra, 17 për shkak se kanë refuzuar t’i nënshtrohen kontrollit, ndërsa katër janë larguar duke mos qenë në gjendje të justifikojnë pasurinë e tyre. Edhe pse e dhimbshme, procesi ka patur mbështetjen e madhe të qytetarëve shqiptarë. Tani, ka edhe rekomandime që “modeli shqiptar” të adoptohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Në lidhje me rekomandimin për hapjen e negociatave Rama u shpreh se vendimi i KE erdhi për shkak të programit për reformën në drejtësi, por edhe të shumë reformave të tjera.

I pyetur për mundësinë e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e fundit parlamentare, Rama u shpreh: “Duket se ka disa dëshmi se kundërshtarët tanë politikë morën mbështetje financiare në shkelje të legjislacionit tonë. Ekziston një hetim i vazhdueshëm, por si rregull, vendosa shumë kohë më parë të mos komentoj ndërkombëtarisht për opozitën. Ne në Shqipëri përpiqemi të mbajmë marrëdhënie miqësore me të gjitha kombet. Ka diçka unike për Shqipërinë. Ne jemi vendi më pro-evropian dhe më pro-amerikan në Evropë. Por, si një vend anëtar i NATO-s dhe një komb evropian, ka fuqi që do të donin të dobësonin angazhimin tonë ndaj Aleancës Perëndimore. Inkurajimi i populizmit dhe nacionalizmit, mund të jetë një nga këto taktika, por nuk jam i shqetësuar. Partia ime u rikonfirmua me një shumicë të fortë dhe jemi të përqëndruar tëk modernizimi i vendit përmes reformave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë