Arsim

“Instrumenti i Djallit” që duhet të ndalohet në shkollë

"Goma është një 'instrument i djallit' dhe duhet të ndalohet përdorimi i saj, kjo sepse ato inkurajojnë fëmijët të ndiejnë turp për gabimet", thotë një profesor nga King’s College në Londër. Guy Claxton, i cili është gjithashtu një shkencëtar tha se shkollat duhet t'i inkurajojnë nxënësit të pranojnë gabimet e tyre, sepse kështu funksionon "bota e gjerë " dhe nota nuk duhet të ketë një rëndësi kaq të veçantë tek nxënësit.

Duke folur për "Daily Telegraph", profesor Claxton tha: "Goma është një "instrument i djallit", sepse ajo nuk bën gjë tjetër veçse tregon një kulturë turpi për gabimet, gjë që është e gabuar. Është një mënyrë e të gënjyerit të botës, kur themi: “Nuk bëj gabime, e bëra siç duhet që me herën e parë.” Kjo është ajo që ndodh kur ti fshin një gabim të bërë dhe e zëvendëson atë. Ndërkohë që ne kemi nevojë për një kulturë tjetër, për fëmijë që nuk kanë frikë nga gabimet, por që mësojnë nga ato duke u përmirësuar me kalimin e kohës. Fëmijët duhet të jenë të interesuar më shumë për procesin e gjetjes së një përgjigjeje të saktë, sepse kjo është ajo që duhet në botën tonë”, ka shtuar ai.

Guy thotë se të mësosh fëmijët të fshijnë apo fshehin gabimet e tyre nuk i përgatit për jetën, aq më tepër kur jetojmë në një shekull ku duhet të punosh shumë me veten dhe shumë gjëra duhet ti bësh vetë. Shkolla është vendi i duhur që duhet të përgatisë nxënësit edhe për këtë pjesë.
"Ne kemi nevojë për një kulturë ku fëmijët nuk kanë frikë të bëjnë gabime, shikojnë gabimet e tyre dhe mësojnë prej tyre, ku vazhdimisht po reflektojnë dhe përmirësojnë atë që kanë bërë, duke mos u interesuar për të gjetur përgjigjen e duhur dhe duke kërkuar zgjuarsi", thotë Guy.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë