Njerez

INSTAT: Në vitin 2021 shtesa natyrore ishte 3.296 vdekje më shumë se sa lindje

Në dy vite pandemi, pasojat në humbjen e jetëve në vend janë të larta, madje më shumë sesa ishte deklaruar fillimisht, teksa INSTAT ka rishikuar me rritje të dhënat për vdekjet për 9 mujorin 2021.
Që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte efektet e para në Shqipëri deri në fund të vitit 2021, në vend janë shënuar rreth 14.6 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019. Të dhënat janë përpunuar nga Monitor, bazuar në treguesit demografikë tremujorë të INSTAT.
INSTAT raportoi treguesit demografike për tremujorin e katërt 2021. Për gjithë vitin 2021, në vend u shënuan gjithsej rreth 30.6 mijë (30,580) humbje jete, duke shënuar nivelin më të lartë rekord të arritur ndonjëherë në historinë e vendit. Ky është viti i dytë radhazi, kur fatalitetet në vend po rezultojnë të larta. Në vitin e parë të pandemisë, në 2020-n u regjistruan në total 27.6 mijë fatalitete, nga 21.8 mijë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2019. Në krahasim me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, vdekjet në vitin 2021 janë rritur me 40%. Edhe në 2020-n, vdekshmëria shtesë në raport me mesataren 2016-2019 u rrit me rreth 26%.
Rishikohen me rritje shifrat për 2021, tragjik tremujori i parë. Në tremujorin e fundit 2021 në vend janë regjistruar 7,837 humbje jete, nga 9,397 në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej 16.6%.


Ndonëse në rënie me të njëjtën periudhë të 2020-s, kur u shënua dhe vala e parë e fortë e pandemisë, sërish humbjet e jetës vijojnë të jenë më të larta se tremujori i katërt i 2019-s, kur ishte një periudhë normale. Në krahasim me mesataren 2016-2019 të së njëjtës periudhë, rritja e vdekjeve është 42% në tremujorin e katërt 2021.
Ndërkohë janë rishikuar me rritje të dhënat për tre tremujorët e parë të 2021, në krahasim me publikimin e mëparshëm të INSTAT. Në tremujorin e parë 2021 kanë humbur jetën 10.2 mijë persona (nga 9.66 mijë që u deklarua fillimisht).
Ky është numri më i lartë i vdekjeve të deklaruara ndonjëherë në ndonjë tremujor (dhe gati sa gjysma e vdekjeve vjetore në një vit normal) dhe përkon me periudhën e valës së dytë të pandemisë, kur spitalet u mbingarkuan. Në total, për gjithë 9 mujorin, INSTAT i ka shtuar fatalitetet edhe me 6%, ose rreth 1300 vdekje më shumë, sesa vlerësimi fillestar.
Vdekjet shtesë 4.5 herë më të larta se deklarimet zyrtare për humbjet nga Covid-19. Që nga fillimi i pandemisë (në 19 mars 2020 u raportua vdekja e parë) deri në fund të vitit 2021, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar 3,217 humbje jete nga Covid-19, ose 4.5 herë më pak se shtesa e vdekjeve për të njëjtën periudhë./Monitor/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë