Lajme

Infrastruktura, projektet ku do të shkojnë paratë në 2019

Investimet në infrastrukturë në kuadër të projektbuxhetit 2019 do të fokusohen tek investimet strategjike. Pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë për projektet tashmë të çelura dhe pjesa tjetër për 2-3 projekte të reja.

Minsitri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm është shprehur se paratë e buxhetit të shtetit për ministrinë që ai drejton do të shkojnë për përmirësimin infrastrukturor në funksion të turizmit dhe të rikthimit më të madh të investimit si “Unaza e Madhe”.

“Nevojat për mirëmbajtje janë më të mëdha, ne kemi një projekt me Bankën Botërore në këtë drejtim. Është një çështje që duhet adresuar në vitet në vijim. Është një problem dhe do të kërkojë kontribut edhe nga përdoruesit.”- tha Gjiknuri.

Për sektorin energjetik tavani i financimit të projekteve është 3 mld lekë për 2019 sipas projektbuxhetit. Kjo shumë do të përdoret për të mbështetur investimet dhe për të përballuar mungesën e prodhimit.

“Jo më shumë se 7, 5 mld në sektorin e shpërndarjes. Dy kompanitë e tjera do të kenë financim më të vogël. Shqipëria kryesisht një pjesë të energjisë e blen nga importi dhe sektori i liberalizuar, kurse kaskada e Drinit, etj 55 % përballojnë. Pjesa tjetër përballohet nga tregu. Problemi është real, energjia është nën kosto dhe privati përballon kostot. Deri tani është menaxhuar me sukses. Humbjet pozitivisht kanë arritur në nivele historike. Sfidat mbeten se si do të diversifikohet furnizimi me energji elektrike nga burime të ndryshme. Sidomos në verë do të kemi mundësi të furnizojmë me anë të energjisë solare”, ka sqaruar ministri Gjiknuri.

Projektet e rinj ka shpjeguar më tej ministri janë të paktë në numër pasi ai i ka gjetur kontratat deri në vitin 2019 dhe prandaj pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë për projektet e vjetra.   

Gjiknuri foli edhe për financimin e trajtimit të mbetjeve në Fier, Elbasan dhe Bashkinë e Tiranës. “Kjo bën të mundur që këto asete të funksionojnë dhe të zgjidhin një problem të trashëguar. Të gjitha proceset që lidhen me infrastrukturën, edhe me infrastrukturën e mbetjeve, nuk mund të financohen vetëm nga buxheti, por edhe nga qytetarët.”
Ai theksoi se industria përpunuese ka performuar shumë pozitivisht në aspektin e të ardhurave dhe kjo sipas tij është meritë e investimeve privatë. Për Gjiknurin, duke u nisur nga të dhënat, përpunimi i kromit në vend, ka tejkaluar edhe prodhimin në kohën e sistemit të mëparshëm. “Kemi tejkaluar dukshëm sasitë e ferrokromit të eksportuar. Ndikon në gjithë zinxhirin, hap vende pune, dhe sjellë të ardhura”, ka përfunduar ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë