Treg

Inflacioni rritet lehtë, arrin 2% në nëntor

Nga Gazeta ‘Si’- Inflacioni u rrit në 2% në muajin nëntor, nga 1.9 % që ishte në tetor.

INSTAT publikoi indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.11 pikë përqindje, pasuar nga grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.27 pikë përqindje.

Gjithashtu, çmimet e grupit “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me 0.25 pikë përqindje, çmimet e grupit “pije alkoolike dhe duhan” me 0.19 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” ndikuan me 0.15 pikë përqindje, çmimet e grupit “argëtim dhe kulturë” me 0.12 pikë përqindje, çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.11 pikë përqindje, çmimet e grupit “hotele, kafene dhe restorante” me 0.10 pikë përqindje, çmimet e grupit “shëndeti” me 0.04 pikë përqindje, çmimet e grupit “shërbimi arsimor” me 0.03 pikë përqindje.

Ndërkohë çmimet e transportit ndikuan me 0,34 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin nëntor 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “argëtim dhe kulturë” me 5.7 %, pasuar nga grupet “veshje dhe këpucë” me 4.0 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.8 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë