Treg

Inflacioni i Eurozonës rekord dyshifror, 10% për shtatorin

Inflacioni në Eurozonë ka arritur në 10% në muajin shtator, shifra më e lartë që prej daljes së euros në treg.

Kjo është më shumë se parashikimi mesatar prej 9.7% në një sondazh të Bloomberg me ekonomistët. Presionet mbi Bankën Qendrore Europiane për rritjen e normave të interesit po shtohen.

"Hapi tjetër duhet të jetë ende i madh, sepse ne jemi ende shumë larg normave që janë në përputhje me inflacionin 2%," tha anëtari i Këshillit Drejtues të BQE-së Martins Kazaks në një intervistë.

Sipas Eurostat, inflacioni këtë muaj është ndikuar nga rritja e çmimeve të energjisë, të ushqimit dhe atyre në sektorin industrial.

Lituania, Letonia dhe Holanda janë shtetet tjera me inflacionin më të lartë në Eurozonë me 22.5 për qind, 22.4 për qind, dhe 17.1 për qind.

Gjermanisë – ekonomisë më të madhe në BE - i është rritur inflacioni në 10 për qind.

Rritja e kërkesës për produkte dhe shërbime tjera, pas heqjes së masave kufizuese për luftim të pandemisë së koronavirusit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, besohet se janë dy shkaqet kyçe që kanë ndikuar në rritje të inflacionit në shumë vende të botës.

Disa organizata botërore kanë paralajmëruar se bota mund të përballet recesion global më 2023.

Me Rusinë që e ka uritur Europën për furnizime me gaz dhe dimrin që po afron, politikëbërësit po përgatiten për disa muaj edhe më të vështirë. Rritjet e çmimeve mund të përshpejtohen akoma më tej në disa vende, ndërkohë që recesionet po bëhen gjithnjë e më të mundshme.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë