Nga Gazeta 'SI' - Interesi i shqiptarëve mbi borxhin publik është zbehur.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, nga janari në shtator 2024, janë kryer 7.982 transaksione titujsh, me rënie 22.7% nga e njëjta periudhë e vitit 2023.
Por rënia e numrit të transaksioneve nuk përkthehet në rënie të vlerës. AMF tregon se në 9-muaj janë blerë 42.3 mld lekë borxh publik, me rritje 40.8% nga një vit më parë.
24.5 mld lekë nga këto janë investime në Bono Thesari, me rritje 9.34%. Bonot më të preferuara janë ato 12 mujore.
Investimi në Obligacione ka shënuar një rritje me 186% gjatë të njëjtës periudhë, me një vlerë totale 17.7 mld. Obligacionet që preferojnë më shumë investitorët janë 5 dhe 7- vjeçaret.
Zbehja progresive e interesit për letrat me vlerë lidhet me rënien e yield-eve pranë normës së interesit, që garanton për investitorët një kthim minimal. Po ashtu është indikator që shpreh pasiguritë e investitorëve për të ardhmen lidhur me normën e interesit dhe inflacionin.
Një ditë më parë në komisionin e Dezinformimit, Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, tha se ka një interes të shtuar të të huajve për borxhin e qeverisë shqiptare. Për deputetin socialist Erion Braçe, ky është një shqetësim dhe kërkoi një analizë të origjinës së investitorëve nga Banka e Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.