Lajme

Indianë misteriozë pas parkut me energji diellore në Akërni

Ministria e Energjisë dhe Infrastruktrës njoftoi së fundmi mbylljen e garës për ndërtimin e fushës me panele që do të sigurojnë energji diellore në zonën e Akërnisë në Vlorë. Në njoftimin e Ministrisë thuhet se fituese është zgjedhur një konsorcium kompanish udhëhequr nga kompania indiane “India Power Corporation”.

Projekti, që pritet të kushtojë rreth 70 milionë euro do të ketë një fuqi të instaluar prej 100 megavat.

Në njoftimin e saj, Ministria vlerëson kompaninë indiane, për përvojën e saj 100-vjeçare në fushën e energjitikës, ku përfshihen impiante termike, eolike (me erë) dhe diellore (fotovoltaike). Në faqen e saj zyrtare të internetit, kjo kompani e përshkruan veten ‘kompani udhëheqëse’ në tregun indian, ku numëron miliona klientë. Ajo zotërohet nga “Kanoria Foundation Group”, me bazë në Kalkuta dhe zotëruar nga Heman Kanoria.

Por cilat janë kompanitë e tjera që përbëjnë konsorciumin për të cilin flet Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës? Njëra është kompania “Mining Resources FZE”, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo kompani zotërohet nga një tjetër kompani indiane, e quajtur “Sarla Group”. Informacioni që mund të gjesh për këtë kompani në internet është i paktë. Në përshkrimin që i bën “S&P Global Market” dhe revista “Bloomberg”, klasifikohet si kompani me “informacione private”.

Megjithatë, për “Mining Resources FZE” gjendet më shumë informacion. Në përshkrimin që kjo kompani i bën vetes në faqen e saj zyrtare thotë se gëzon një përvojë 30-vjeçare kryesisht në ndërtimin e infrastrukturës dhe veprave të tjera, që kërkojne teknikë dhe makineri të specializuara, pra në terrene të vështira.

Kjo do të thotë se roli i “Mining Resources FZE” do të jetë ndërtimi i terreneve të përshtatshme dhe të qëndrueshme për vendosjen e paneleve që do të përthithin energjinë diellore dhe më pas përmes sistemeve të ndërtuara nga “India Power Corporation” do të përcillen në rrjetin kryesor të energjisë në vend.

Kompania e tretë është kompania Midami Ltd. Kjo është e regjistruar në Hong-Kong, që njihet si një parajsë fiskale për individët dhe korporatat e huaja. Por, përveç këtij informacioni, për Midami Ltd nuk gjendet asgjë tjetër në internet. Pra, është e paqartë se cili do të jetë funksioni i kësaj kompanie në ndërtimin e parkut energjitik të Akërnisë, kur dihet që “India Power Corporation” do të ndërtojë rrjetin energjitik dhe vendosë panelet dhe “Mining Resources FZE” do të ndërtojë pjesën fizike të parkut.

Gjithsesi, afati i zbatimit të investimit të projektit me vlerë rreth 70 milionë euro është 18 muaj. Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë vlerëson si sukses rezultatet e këtij ankandi, pasi ka arritur të sigurojë një nga çmimet më të ulëta në rajon për këtë lloj teknologjie më e ulët se çmimet mesatare të importit në vendin tonë dhe një kapacitet shtesë në 50 MW, duke e bërë këtë ofertë shumë të leverdisshme për tregun energjitik në vend. Objektivi i qeverisë është që të instalojë 120 MW energji diellore dhe 70 MW të tjera nga energjia e erës brenda vitit 2020.

Parku i Akërnisë është impianti i parë diellor me kapacitet të madh prodhues. Shumica e lejeve që janë dhënë deri më tani kanë qenë për impiante kryesisht të vogla nën 2 megavat. Kur parku të nisë të prodhojë energji, kontrata detyron Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që t’i blejë me çmimin 59.9 euro për MW për 50 MW e para. 50 MW e dyta kompania mund t’i shesë në treg të lirë, duke e përcaktuar vetë çmimin.

Përzgjedhja në ankand e këtij konsorciumi kompanish, megjithë pikëpyetjet që lë pas, nuk do të thotë nisjen automatikisht të punës për ndërtimin e tij. Qeveria do të diskutojë me grupin e drejtuar nga India Power detajet e kontratës dhe nëse finalizohet me sukses, ky do të ishte investimi i dytë i madh aziatik në Shqipëri, pas atij kinez që bleu aeroportin e Rinasit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë