Ekonomi

India ndalon eksportet e grurit pasi vala e të nxehtit dëmton të korrat, rriten çmimet

gruri india

India ndaloi eksportet e grurit, vetëm disa ditë pasi tha se po synonte dërgesat rekord të këtij viti, për shkak se një valë e të nxehtit uli prodhimin, ndërsa çmimet në vend u rritën në nivelin më të lartë të të gjitha kohëve.

Qeveria tha se do të lejojë ende eksportet e mbështetura nga letra kredie të lëshuara tashmë dhe për ato vende që kërkojnë furnizime “për të përmbushur nevojat e tyre të sigurisë ushqimore”. Blerësit globalë po konsumonin furnizime nga prodhuesi i dytë më i madh në botë i grurit, pasi eksportet nga rajoni i Detit të Zi ranë pas pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit. Përpara ndalimit, India kishte synuar të dërgonte një rekord prej 10 milionë tonësh këtë vit.

Sipas analistëve të tregut, ky vendim mund të rrisë më tej çmimet globale të grurit dhe do të prekë konsumatorët e varfër në Azi dhe Afrikë. Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë e shtyu inflacionin vjetor të shitjes me pakicë të Indisë drejt nivelit më të lartë të tetë viteve në prill, duke forcuar pikëpamjen e ekonomistëve se banka qendrore do të duhej të rriste normat e interesit në mënyrë më agresive për të frenuar çmimet.

Çmimet e grurit në Indi janë rritur në nivele të larta rekord, në disa tregje spot deri në 25.000 rupi (322.71 dollarë) për ton, kundrejt çmimit minimal fiks të qeverisë prej 20.150 rupi.

Në fillim të javës, India deklaroi objektivin e saj rekord të eksportit për vitin fiskal 2022/23 që filloi më 1 prill, duke shtuar se do të dërgonte ekspertë tregtarë në vende si Maroku, Tunizia, Indonezia dhe Filipinet për të eksploruar mënyra për të rritur më tej eksportet.

Por një rritje e papritur e temperaturave në mes të marsit do të ulte prodhimin në rreth 100 milionë ton, ose edhe më pak. Qeveria kishte vlerësuar se prodhimi do të arrinte një nivel të lartë historik prej 111.32 milionë ton./Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë