Biznes

Indeksi i Biznesit më i ulti në 8 vjet. Klima, e rënduar nga politika dhe monopolet

Klima e Biznesit gjatë 2019-2020 është më e keqja në 8 vite, që kur Dhoma Amerikane mat Indeksin e Biznesit. Anketimi që është zhvilluar nga Dhoma ka pyetur 148 anëtarë të saj, lider të kompanive në sektorë të ndryshëm që nga bujqësia deri tek energjetika.

Rezultati i anketimit ka treguar se 66% e të anketuarëve mendojnë se klima e biznesit është përkeqësuar në vend përgjatë 2019-s.

Indeksi i Biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë mat elementë të rëndësishëm si politika qeveritare, niveli i taksave, korrupsioni, informaliteti, zbatimi i ligjit, si dhe elementët që lidhen me performancën e bizneseve dhe ekonominë shqiptare. Indeksi i Biznesit 2019-2020 ka sjellë opinionin dhe vlerësimin e anëtarëve të AmCham-it, duke reflektuar shqetësime të thella për disa nga parametrat themelorë të klimës. Si rezultat, Indeksi i Biznesit shënoi një ulje me (-4.99) pikë, duke zbritur për 2019-ën në 38.17 nga 43.16 që ishte në 2018-ën.

Si asnjëherë tjetër, pothuajse të gjithë treguesit janë në trend përkeqësues, me vetëm 4 nga 27 indikatorët që janë përmirësuar lehtë.

Një rënie të ndjeshme ka shënuar klima e brendshme politike, monopolet dhe tregtia e pandershme të cilat kanë ndikuar në uljen e përgjithshme të indkeist. Në indeksin e një viti më parë, problemi kryesor ishte monopoli dhe konkurrenca e pandershme.

Performanca e ekonomisë shqiptare është shqetësimi tjetër që kanë bizneset. Mandej renditet klima e biznesit, korrupsioni, e ndjekur nga informaliteti dhe burokracia e qeverisë.

Tendencë përmirësuese kanë shfaqur për bizneset marrëdhëniet me taksat e tatimet si dhe furnizimi me energji, i cili është nga të paktat çështje që janë në përmirësim.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço gjatë preznatimit të raportit u shpreh se është dyfishuar numri i anëtarëve të Dhomës që mendojnë se në Shqipëri ka një klimë të pafavorshme biznesi.

Ai ka pohuar se në dy vitet e fundit Indeksi ka rënie dhe sektori privat duhet të jetë në një situatë aktive. Sipas tij, situata post- covid do jetë e jashtëzakonshme, por hapja e mundshme e negociatave për Shqipërinë mund të jetë një oportunitet shumë i madh për bizneset.

"Janë kompani që përfaqësojnë 20-25% të ekonomisë shqiptare. Kemi një pjesëmarrje shumë të lartë në Indeks, 70% e kompanive kanë marrë pjesë, dhe është pjesëmarrja më e lartë në 8 vite. Kompanitë përafqësojnë 16 sektorë të ndryshëm, turizmi, ekonomia, ndërtim, telekomunikacion. Indeksi ka një rënie prej 38 pikësh, nga 100 të mundshme, rënia më e madhe. Për të qenë i saktë, shkalla është nga 0-100. E thjeshtësuar: mund ta cilësojmë mbi 50 pikë klimë e favorshme, nën 50 e pafavorshme. Klima ka qenë e pafavorshme. 66% e anëtarëve të dhomës së tregtisë e konsiderojnë klimën të pafavorshme, 26% janë neutralë”, ka thënë Jaço duke theksuar se ky është indikatori më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë